Opinionet

Dhuratat në mbështetje të korrupsionit

Në vazhdim e monitorimit të paketës ligjore kundër korrupsionit pjesë e rëndësishme përbën rregullimi i pranimit të dhuratave nga ana e personave zyrtar dhe të zgjedhur.   Kuvendi i Republikës së Kosovës më 22 prill 2005 ka aprovuar Ligjin Kundër Korrupsionit për qëllime të mbrojtjes së rendit ligjor, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, qeverisjes së mirë, ndershmërisë dhe drejtësisë sociale, konkurrencës, rritjes ekonomike, besimit të  përgjithshëm tek institucionet publike dhe vlerat morale të shoqërisë.  Kuvendi tani po kalon një proces të shqyrtimi të këtij ligji.  Në kreun 4 të ligji aktual Kundër Korrupsionit rregullohet një çështje shumë e rëndësishme në betejën kundër korrupsionit: Dhuratat Zyrtare.   Në këtë pjesë të ligjit sanksionohen rastet kur personi zyrtar mund të pranoj dhurata.  Kodi Penal i Kosovës në nenin 107, përkufizonin Personin Zyrtar si: Personin e zgjedhur ose të emëruar në një organ publik,  personin e autorizuar në një organizatë biznesi se ndonjë person tjetër   juridik i cili sipas ligjit a ndonjë dispozite tjetër të nxjerrë në pajtim me ligjin ushtron autoritet publik dhe brenda këtij autoriteti ushtron detyra të posaçme.  Personi zyrtar, sipas nenit 33.1 të Ligjit Kundër Korrupsionit nuk ka të drejtë të pranoj dhurata apo përfitime të tjera në lidhje me ushtrimin e detyrës së tij, përveç dhuratave formale dhe dhuratave të rastit në vlerë të vogël. 

Më tutje, në nenin  33.2. Dhurata formale konsiderohet dhuratat e sjella nga përfaqësuesit e vendeve të huaja dhe organizatave ndërkombëtare gjatë vizitave dhe rasteve të tjera si dhe dhuratat e sjella në kushte të ngjashme, përderisa neni  33.3. thotë: Dhurata të rastit në vlerë të vogël konsideron dhuratat e sjella në raste të ndryshme të jubileve të punës dhe personale, raste festash dhe raste të ngjashme dhe nuk e kalojnë vlerën 50 € ose vlera totale e tyre nuk kalon 100 € në një vit, nëse ato sillen nga i njëjti person. Personi zyrtar nuk mund të pranojë më tepër se 10 dhurata të rastit brenda vitit.

Gjatë vitit 2008 FOL për më shumë se një muaj ka kërkuar nga 5 institucione raportet për dhuratat zyrtare në mbështetje të Ligjit për Qasje në Dokumente Zyrtare dhe kreut 4 të Ligjit Kundër Korrupsionit. FOL ka bërë 5 kërkesa në drejtim te Presidencës, Kuvendit të Kosovës, Kryeministrisë, Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe Ministrisë së Minierave dhe të Energjetikes mbi raportet e tyre për dhuratat që i kanë pranuar gjatë  këtij viti dhe të viteve paraprak. Nga këto 5 institucione vetëm 2 prej tyre kemi marrë përgjigjeje të cilat po ashtu nuk kanë dhënë informacione mbi kërkesën tonë.

Katalogët e pranimit të dhuratave formale dhe të rastit nuk janë transparent dhe nuk ka qasje në  katalogun  zyrtare.   Institucionet përkatëse e vështirësojnë qasjen në katalogët duke devijuar rrugën e drejt institucionale të kërkesë për qasje në këtë dokument.  Zyra e Kryeministrit për të pasur qasje në katalogun e saj të pranimit të dhuratave ka referuar tek Agjencia Kundër Korrupsionit, përderisa të gjitha dhuratat dhe vlera e tyre duhet të regjistrohen në institucionet përkatës,  dhe rrjedhimisht tek ai të kërkohet qasja në dokumentin përkatës. 

Agjencia kundër Korrupsionit parasheh vetëm 18 Institucione që duhet të dorëzojnë katalogët e tyre në këtë  agjenci, duke përjashtuar kështu shumë institucione të tjera si; Komunat.    Organet publike që janë të detyruara me ligj të mbajnë katalogët e dhuratave i dërgojnë kopjet e katalogëve për vitin paraprak në Agjencinë Kundër Korrupsionit  jo më vonë se dita e fundit e marsit të vitit vijues për vitin paraprak. Mirëpo, ky nen nuk specifikon ose saktëson se cili ligj duhet të përkufizoj. Më tutje, institucionet e vendit  nuk kanë respektuar kërkesën për regjistrimin e dhuratave, nga 18 Institucionet e parapara nga Agjencia Kundër korrupsionit që të dorëzojnë katalogët vetëm 3 iu janë përgjigjur pozitivisht gjatë vitit 2008

Ligji i ri anti-korrupsion duhet që të përkufizoj më mirë obligimin për dorëzim e katalogëve të dhuratave. Agjencia Kundër Korrupsionit duhet të përfshijë në listën e vetë të institucioneve që duhet të dorëzojnë katalogët  e pranimit ë dhuratave edhe; komunat si dhe të gjitha organizatat e tjerë, që kanë persona zyrtar sipas nenit 107 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.  Afati për dorëzimin e katalogëve duhet të jetë më së largu  20 janari i vitit vijues, e jo siç është tash deri në fund të marsit duke lenë hapësirë për keqpërdorime.   Ligji duhet të përmirësohet duke obliguar Agjencinë kundër korrupsionit që për çdo vit t’i bëj publike të gjitha dhuratat që kanë pranuar institucionet përkatëse përmes një raporti të veçan vjetor, i cili duhet të publikohet edhe në ueb faqen e Agjencisë.   

Lëvizja FOL dhe Instituti Demokratik i Kosovës

 

Nga përvoja me procesin e nxjerrjes së pakos ligjore anti-korrupsion

Transparenca e financave të partive politike: Frika nga kutia e Pandorës

Varësisht se nga vijnë, si shpërndahen dhe si shpenzohen ato, burimet që u jepen partive politike dhe kandidatëve mund të korruptojnë zgjedhjet dhe mund ta minojnë ndërtimin e demokracinë

Zgjedhjet e para në Republikën e Kosovës po afrohen, përderisa vendi ende nuk ka nxjerr ligjin për Financimin e Partive Politike. Çështja e financimit të partive politike në Kosovë, e në veçanti mungesa e transparencës së burimeve të financimit të fushatave të tyre zgjedhore prezanton një shqetësim thelbësor në luftën kundër korrupsionit. Kur mungojnë mekanizmat dhe institucionet të cilat do të siguronin llogaridhënie dhe transparencë të financimit të partive politike, fushatat zgjedhore mund të shndërrohen në një instrument për shpërlaje të parave, siç ka ndodhur në Bosnja dhe Hercegovina, El Salvadori dhe Haiti (TI).

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dënoi të gjitha partitë kryesore politike për mos bërjen publike të burimeve të financimit të fushatave të tyre në zgjedhjet e fundit në Kosovë. Fshehja e kësaj informate është indikator dhe arsye e fuqishme që Prokuroria e shtetit të heton për të siguruar se partitë politike në Kosovë nuk abuzojnë me fuqinë e tyre politike dhe shtetëror, mbase duke kthyer favore ndaj individëve dhe ndërmarrjeve që kanë mbështetur fushatën. Ligji për Financimin e Partive Politike është pjesë e pakos legjislative kundër-korrupsionit që do të duhej të miratohej kohë më parë, mirëpo pa-arsyeje (përveç atyre politike) ky ligj është penguar të procedohet për aprovim. Rregullimi i çështjes së financimit të të partive politike është thelbësore për një shoqëri demokratike e cila duhet të garantoj zgjedhje të lira, te drejta si dhe konkurrencë të ndershme për të siguruar se personat e zgjedhur nuk kanë blerë votat ose  janë të korruptuar. 

Një punim i TI (OJQ – Transparenca Ndërkombëtare) thekson se varësisht se nga vijnë, si shpërndahen dhe si shpenzohen ato, burimet që u jepen partive politike dhe kandidatëve mund të korruptojnë zgjedhjet dhe demokracinë.  Megjithëse Prokuroria e shtetit ose Agjencia Anti-Korrupsion asnjëherë nuk ka bërë hetime në këtë drejtim, indikatorët nga sjellja e partive politike lënë të kuptohet se këto të fundit mbase janë në marrëdhënie më shumë se zyrtare me individë ose biznese.  Më tutje ky punim thotë se financimi politik mund të kontrolloj politikë-bërjen pas përfundimit të zgjedhjeve – veçanërisht kur në vend të partive politike financohen kandidatët. Për këtë arsye Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë detyruar shumë anëtarë të rëndësishëm të Kongresit që të japin dorëheqje

Gabimi tjetër në financimin publik të partive politike është se kjo bëhet nga Kuvendit i Kosovë. Nga 8 milion euro te buxhetit te Kuvendit afër 2 milion i jepet partive politike te përfaqësuara ne Parlament (përafërsisht nga 15.000 euro për deputet). Ky fond njihet si “Fondi për Demokratizim” i instaluar si i tillë nga OSBE ne vitin 2001.    3. 95% e këtij fondi shfrytëzohet për funksionimin e partive politike (paguhet stafi, aktivistet, ngjarjet e ndryshme dhe natyrisht edhe fushatat). Vetëm 5% e fondit qe i ndahet secilës parti parlamentare shfrytëzohet për grupin parlamentar (qe mundëson angazhimin e një apo dy asistenteve administrativ/teknik)

Një linje e veçan buxhetore ne kuadër te Komisionit Qendror Zgjedhor ose Ministrisë se Ekonomisë dhe Financave do të duhej të rregullonte financimin e partive politike. Zakonisht numri i votave qe merr partia ne zgjedhje cakton shumën qe i ndahet partisë: p.sh 0.03 cent për votë, dhe kjo është formula që do të duhej të përfshihej në Ligjin për Financimin e Partive Politike nga fondet publike.  Problemi tjetër është se ky fond u ndahet vetëm partive parlamentare ku përfshihen edhe partitë e vogla qe kanë hyre ne koalicion me partitë e mëdha. P.sh. PSDK qe ka hyre ne koalicion me PDK i merr 15.000 euro sepse ka një deputet ne parlament edhe pse ka qene ne koalicion parazgjedhor me PDK-ne. Ose ADK dhe PSHDK te cilat po te garonin individualisht nuk do të merrnin më shumë se 1%.  Por, partitë si ORA  ose PD që kanë arritur te marrin më shumë se 3% te totalit te votave nuk marrin asnjë cent nga ky fond sepse nuk janë parti Parlamentare.  Ky nuk është një sistem i cili siguron konkurrencë të ndershme dhe respektimit te elektoratit.

Për të nxjerr një ligj të mirëfilltë për Financimin e Partive Politike në Kosovë domosdo duhet të kemi për bazë realitetin e hidhur në vend me mundësitë e shumta për manipulim përderisa Prokuroria heshtë dhe është e pa-aftë të adresoj çështje të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Më tutje duhet të mbushim listën e kontrollit të cilin e ka hartuar TI që përfshinë disa parime të cilat sigurojnë llogaridhënie dhe transparencë. Pa këto dy elemente ligji për financimin e partive politike do të ishte i pakuptimtë. Parimi i parë është gjithë-përfshirja që nënkupton se të gjitha burimet relevante duhet të mbulohen nga politika e deklarimit.  Publiku duhet të jetë në gjendje që qartë të identifikoj të gjitha kontributet individuale të bëra nga donatorët dhe partitë, përfshirë edhe emrin e kontribuuesit. Parimi tjetër është besueshmëria: shteti përmes kontrollit duhet të siguroj se raportimet e partive politike nuk janë të besueshme. 

Më tutje raportimi duhet të bëhet sa më herët që është e mundshme pasi që të kompletohet transaksioni pasi që koha jep mundësi për manipulim. Çdo informatë që ofrohet gjatë fushatës së zgjedhjeve duhet t’i ofrohet menjëherë qytetarëve.  Të kuptueshme: informata duhet të prezantohet në një mënyrë të lehtë dhe të kuptueshme.  Të qasshme: Të dhënat nuk duhet të jenë të gatshme vetëm sipas kërkesës, por të deklaruara aktivisht përmes kanaleve të ndryshme. teknologjitë moderne të informimit u mundësojnë agjencive shtetërore të zbatojnë raportime automatike dhe monitorim. 

Aksioni Qytetar FOL’08 dhe Instituti Demokratik i Kosovës

 

Në ndjekje të pasurisë se zyrtarëve të lartë

Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka miratuar në parim Ligjin për Deklarimin dhe Kontrollin e pasurisë së Zyrtareve të Lartë Publik. Ky ligj përbën një hap qenësore të Legjislativit të vendit për të vendosur kornizë të mirëfilltë juridike për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin. Përderisa duhet të vlerësojmë si hap pozitiv vullnetin e Parlamentit që më në fund pas shume vonesave të diskutoj për këtë ligj, miratimi në formën aktuale është shumë shqetësues.

Ashtu siç edhe është pohuar nga disa parlamentar, ligji nuk vendos një rol hetues të pasurisë për Agjencinë Kundër Korrupsionit, por krijon një rol administrativ shumë të dobët për agjencionin. Ligji për deklarimin e pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë është i kotë nëse nuk do të ketë transparencë dhe qasje për publikun në këto të dhëna dhe nëse Agjencioni nuk do të hetoj, por vetëm të procedoj dokumente, si një postier.   Ka disa mangësi substanciale në këtë ligj, të cilat nëse nuk adresohen dhe përmirësohen ligji nuk do të arrij efektin e nevojshëm dhe të kërkuar.  

Të fillojmë nga parimi fondamental i demokracisë: transparenca. Transparenca e materialeve që kanë të bëjnë me pasurinë e Zyrtareve të Lartë Publik është imperativ për zbatimin dhe suksesin e ligjit.  Megjithëse, në ligj thuhet se secili qytetar ose entitet ka të drejtë që në përputhje me ligjin mbi qasjen në dokumente zyrtare dhe bazuar në kërkesë të paraqitur me shkrim në Agjenci, të ketë qasje në regjistër, më vonë një nen tjetër thotë se të dhënat që mbahen në regjistër mund të përdoren dhe procedohen tutje vetëm për qëllime të hetimit dhe parandalimit të korrupsionit. Pa dyshim, që ky nen do të përdoret nga Agjencia në të ardhmen për të arsyetuar mos publikimin e pasurisë së zyrtareve të lartë publik ashtu siç ka bërë në të kaluarën.  

Në një nen tjetër të këtij ligji thuhet se publikimi në media i informacioneve që mbahen në regjistër është i lejuar, vetëm më kusht që të publikohet e tërë deklarata. Në parim, ky kufizim nuk tingëllon keq, mirëpo frikësohemi se ky nen do interpretohet në mënyra më komplikuar të mundshme. Kemi qenë dëshmitar të këtyre interpretimeve të cilat në fund kanë dëmtuar funksionimin demokratik të institucioneve të vendit. Formularët dhe materialet mbi pasurinë e një personi të lartë publik duhet të publikohen në internet dhe në gazetat ditore. Ky do të ishte një gjeste i jashtëzakonshëm (për rrethanat e Kosovës) i dëshmisë për vullnetin e Parlamentit që të luftoj korrupsionin. 

Mangësia tjetër e ligjit ka të bëjë me  rrethin e zyrtarit të lartë publik ku futën vetëm bashkëshortja dhe fëmijët e Zyrtarit të Lartë Publik. Këtu kemi një rast sikurse në Rusi, ku Kryetari i vendit duhet të deklaroj pasurinë, por jo edhe familja e tij.  Rrethi duhet të zgjerohet duke përfshirë kështu partneri-ja jashtëmartesor apo fëmije i birësuar me të cilin bashkëjeton Personi Zyrtar i Lart (PZL) ose edhe vëllezërit dhe motrat. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se Zyrtaret e Lartë Publik, megjithatë kanë një rreth të gjere familjar dhe mos përfshirja e tyre me këtë ligj jep sinjale jo të mira të përfshirjes së këtyre personave në afera korruptive.

Ligji duhet obligoj kryetarët,  kryesitë e partive politike si dhe drejtorët e ndërmarrjeve publike që gjithashtu të deklarojnë pasuritë e tyre.  Hulumtimet e fundit tregojnë se partitë politike dhe ndërmarrje publike shikohen nga publiku si më të korruptuarat. Ligji cakton  një afat prej 30 ditësh për PLZ-në të njoftoj agjencinë me ndryshimet e pasurisë së tij/sajë. Kjo është një kohë e mjaftueshme për personin që të manipuloj me të dhënat, pa dyshim që ky afat duhet të reduktohet.

Neni 12.5 i këtij ligji thotë se ”Mënyra, procedura dhe seleksionimi i nivelit të pozitave të zyrtarëve të lartë publik që i nënshtrohen kontrollit të plotë,  do të rregullohet me akt nënligjor i cili hartohet nga Agjencia”. Agjencioni duke iu nënshtruar ndikimit politik mund të përdror këtë nen për të përjashtuar ndonjë zyrtar nga kontrolli.   Është qenësore që ligji mbi të gjitha të përcaktoj qartë se Agjencioni duhet të bëjë hulumtimin e prejardhjes së pasurisë, kontrollin dhe verifikimin e pasurive. 

Më në fund përshtypja më interesante pas leximit të ligjit ka të bëjë me masat që ligji përcakton për ata zyrtar që nuk deklarojnë pasurinë. Këto masa janë qesharake, e në veçanti shumë monetare që përcaktohet si dënim. Besoj për shumë nga zyrtaret tanë do të jetë më ekonomike të paguajnë dënimet për mos deklarim, se sa të tregojnë financat e tyre

Duke i parë të gjitha këto mangësi të këtij ligji dhe duke shpresuar në vullnetin e institucioneve të kyçura në procesin e hartimit të pakos legjislative kundër korrupsionit, kërkojmë që ky ligj të rishikohet dhe të merren me  seriozitet vërejtjet që tani me i kemi dërguar ne adresë te institucioneve.

 Aksioni Qytetar FOL’08 dhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: