Projektiligji per deklarimin dhe prejardhjes se pasurise se zyrtareve te larte publik

PROJEKT LIGJI PËR DEKLARIMIN DHE pREJARDHJEN E PASURISË SË ZYRTARËVE TË LARTË PUBLIK

 

 

Kuvendi i Kosovës,

 

Duke u bazuar në Rregulloren e UNMIK-ut nr. 2001/9 të datës 15 maj 2001 për Kornizën Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme në Kosovë, veçanërisht Neni 9.1.26 (a),

 

Me qëllim të rregullimit të fushës së deklarimit dhe të prejardhjes së pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, qeverisjes së mirë, transparencës, shtimit të besimit të përgjithshëm tek bartësit e institucioneve publike,

 

Miraton:

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PROJEKT LIGJI PËR DEKLARIMIN DHE pREJARDHJEN E PASURISË SË ZYRTARËVE TË LARTË PUBLIK

 

 

Kreu I

Dispozitat e Përgjithshme

 

Neni 1

Qëllimi i ligjit

 

Ky ligj përcakton detyrimet e zyrtarëve të lartë publik për të deklaruar pasurinë dhe prejardhjen e saj.

 

Neni 2

Fusha e Veprimit

 

Ky ligj rregullon  kontrollin publik të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, të hyrat dhe përfitimet e tjera materiale, detyrimeve financiare nga zyrtarët publik, familjarët e tyre dhe personat e lidhur me ta, duke përfshirë sanksionet e përcaktuara në këtë ligj.

 

 

Neni 3

Përkufizimet

 

3.1 Për qëllime të këtij Ligji termat e mëposhtëm kanë këtë kuptim:

 

“Zyrtar i lartë publik përfshinë”:

 

– Kryetari i Kosovës dhe gjithë ushtruesit e funksioneve publike të emëruar nga Kryetari;

 

– Deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe të gjithë të emëruarit nga ata;

 

-Kryeministri, zëvendës Kryeministri, Ministrat dhe zëvendës Ministrat në Qeverinë e Kosovës, si dhe gjithë të emëruarit nga ata;

 

– Udhëheqësit e sekretariateve dhe zyrave tjera të Kryetarit të Kosovës, Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës;

 

– Sekretari i Përhershëm i Zyrës së Kryeministrit, sekretarët e përhershëm të ministrive, drejtorët e departamenteve dhe pozitat e barasvlershëm me to nëpër Ministri;

 

– Gjyqtarët dhe Prokurorët publik;

 

– Personat e akredituar jashtë vendit si përfaqësues të Kosovës;

 

– Udhëheqësit e agjencive, drejtorive, dhe institucioneve tjera të nivelit qendror të themeluar me ligj ose ndonjë akt tjetër;

 

 

– Kryetari dhe nënkryetarët e Komunave, kryetari dhe nënkryetarët e kuvendeve komunale;

 

– Kryeshefi ekzekutiv, udhëheqësit e drejtorateve dhe Zyrave tjera komunale;

 

– Auditorët dhe inspektorët e nivelit qendror;

 

– Udhëheqësit e bankave dhe institucioneve financiare me kapital publik;

 

– Rektori, Pro-Rektorët dhe Sekretari i Universitetit Publik si dhe Dekanët, Prodekanët dhe Sekretarët e njësive Akademike dhe atyre organizative të universitetit publik;

 

– Të gjithë drejtorët e shoqërive aksionare me pjesëmarrje të kapitalit shtetëror me më shumë së 50 % (për qind).

 

– Zyrtarët e lartë që kryejnë funksione publike në strukturat e rendit, sigurisë dhe shërbimit doganor.

 

“Familjarë të afërm” do të thotë bashkëshortja dhe fëmijët e Zyrtarit të Lartë Publik;

 

“Agjensioni” do të thotë Agjensioni Kosovar i Kundër korrupsionit.

 

“Persona të lidhur” janë të gjithë personat fizikë ose juridikë, të cilët në bazë të hetimeve administrative rezultojnë të kenë pasur ose të kenë lidhje pasurore me personin që është i detyruar për deklarim, në njërën nga format e përcaktuara me këtë ligj.

 

“Regjistri” do të thotë regjistri i deklarimit dhe prejardhjes se pasurisë, të hyrave, përfitimeve materiale dhe detyrimeve financiare.

 

3.2   Shprehjet e përdorura në këtë Ligj, nënkuptojnë të dy gjinitë si  njëjësin dhe shumësin, pavarësisht nga trajta e përdorur, varësisht nga konteksti në fjali.

 

 

Kreu II

Deklarimi i pasurisë, të ardhurave, përfitimeve materiale dhe detyrimeve financiare

 

 

Neni 4

Detyrimi për deklarim

 

4.1 Zyrtari publik është i detyruar të deklaroj:

 

a)      Pasurinë kur fillon të punoj në shërbimin publik;

 

b)      Pasurinë e fituara gjatë ushtrimit të pozitës së tij si zyrtar publik, siç parashihet në nenin 5 të këtij ligji;

 

c)      Të ardhurat monetare apo përfitimet tjera materiale dhe detyrimet financiare siç parashihet në nenin 5 të këtij ligji.

 

 

Neni 5

Deklarimi i pasurisë

 

5.1  Deklarimi në lidhje me gjendjen e pasurive të personit zyrtar të lartë ose të personave që janë në marrëdhënie të afërt me personin zyrtar të lartë përmban informacione rreth pasurive dhe të ardhurave të tyre, si më poshtë:

 

a)      Patundshmëri ;

 

b)      Pasuri e luajtshme në vlerë të madhe ;

 

c)      Zotërimi nga ana e tyre i aksioneve në shoqëri komerciale;

 

d)     Letra me vlerë;

 

e)      Para të gatshme të mbajtura në bankë, banka kursimesh dhe institucione të tjera kursimi apo kreditore;

 

f)       Borxhet, garancitë e ndërmarra dhe detyrimet e tjera ; dhe

 

g)      Të hyrat vjetore (që shërbejnë si bazë e tatueshme).

 

5.2   Pasuri e luajtshme në vlerë të madhe siç referohet në pikën (b) të paragrafit paraprak konsiderohen pasuritë e luajtshme me vlerë mbi 3.000 €.

 

5.3  Kur pasuria e pjesëtarëve të familjes është e ndarë dhe e regjistruar si e tille në organet e administratës shtetërore ose gjyqësore, deklarimi paraqitet veçmas nga çdo anëtarë i familjes me pasuri të regjistruar në emër të tij dhe i bashkëngjitet deklaratës së personit që ka detyrimin për deklarimin.

 

5.4  Zyrtari publik në deklarimin e pasurisë në pajtim me paragrafin 1 të këtij neni, në bazë të hetimeve administrative të bëra nga Agjensioni, bashkangjet deklaratën mbi gjendjen pasurore të personave të lidhur me të.

 

5.5  Në deklaratën e të ardhurave, përfitimeve materiale dhe detyrimeve financiare, zyrtari publik cek shumën, llojin dhe burimin e secilës të ardhur, shumën dhe llojin e detyrimeve financiare duke përfshirë edhe emrin e kreditorit.

 

Neni 6

Llojet t e deklarimit të pasurisë

 

6.1   Deklarimi i rregullt vjetor ;

 

6.2  Deklarimi me marrjen e detyrës së zyrtarit të lartë publik ;

 

6.3   Deklarimi me kërkesë të Agjensionit ;

 

 

6.4  Deklarimi pas largimit nga funksioni.

 

 

Neni 7

Deklarimi i rregullt vjetor

 

7.1 Deklarimet e parapara në paragrafin 6.1 të nenin 6 të këtij ligji bëhen nga zyrtari i lartë publik gjatë tërë kohës së punës në shërbimin publik dhe afateve kohore të përcaktuara në këtë ligj.

 

 

7.2  Zyrtarët e lartë publik detyrohen të deklarojnë gjendjen e pasurive të tyre në Agjension, brenda datës 31 mars të çdo viti.

 

7.3  Zyrtarët e lartë publik të cilët kanë bërë deklarimin e pasurisë në vitin paraprak, detyrohen që brenda datës 31 mars të çdo viti të deklarojnë çdo ndryshim në gjendjen e pasurive të parapara në pikat a) deri në g) të nenit 5 të këtij ligji.

 

7.4 Agjensioni mbikëqyrë pasurinë e zyrtarit të lartë publik në bazë të informacionit të dorëzuar nga zyrtari i lartë publik në një formular të posaçëm, i cili do të përcaktohet nga Agjensioni.

 

7.5     Deklarimet e parapara në nenin 6 të këtij ligji i paraqiten Agjensionit.

 

7.6  Institucionet në të cilat janë të punësuar apo të emëruar personat e përcaktuar në paragrafin 4.1 të nenit 4, janë të obliguar ti mbledhin dhe ti dërgojnë Agjensionit, brenda datës 31 mars të çdo viti, formularët e plotësuar dhe të mbyllura në zarf, si dhe e njoftojnë atë për rastet e mosdeklarimit.

 

Neni 8

Deklarimi me rastin marrjes së detyrës së zyrtarit të lartë publik

 

8.1   Zyrtarët e lartë publik të cilët fillojnë punën në shërbimin publik në mënyrë të plotë dhe reale deklarojnë me shkrim pasurinë ekzistuese të fituar, detyrimet, burimet dhe origjinën e saj brenda 60 ditëve. Në pajtim me këtë nen, zyrtarët e lartë publik bashkangjesin deklaratën mbi gjendjen pasurore të familjarëve të afërm të tij.

 

8.2   Organi i punësimit është i detyruar që brenda afatit 15 ditor ta njoftoj Agjensionin për fillimin apo përfundimin punës së zyrtarit të lartë publik.

 

Neni 9

Deklarimi me kërkesë të Agjensionit

 

 

9.1  Agjensioni mund të kërkojë në çdo kohë nga zyrtari i lartë publik që të dorëzojë informacionin e referuar në nenin 5 të këtij ligji. Zyrtari i lartë publik duhet të përmbushë kërkesat e Agjensionit në afat prej 15 ditësh që nga marrja e kërkesës.

 

9.2  Agjensioni ka të drejtë të kërkojë deklarimin e pasurive dhe burimet e krijimit të tyre, si dhe të urdhërojë kontrollin për saktësinë e këtyre deklarimeve edhe për personat fizikë e juridikë, kur nga verifikimet e kryera, rezulton se këta të fundit janë persona të lidhur me zyrtarët e lartë publik.

 

Neni 10

Deklarimi pas largimit nga funksioni publik

 

Pas përfundimit të punës në shërbimin publik, zyrtari publik brenda 30 ditëve paraqet deklarimin e pasurisë ashtu siç është paraparë në nenin 5 dhe 6 të këtij ligji.

 

 

 

 

 

 

Kreu III

Regjistrimi dhe mirëmbajtja e deklarimeve të pasurisë, të ardhurave, përfitimeve materiale dhe detyrimeve financiare

 

Neni 11

Regjistri i Deklarimeve

 

11.1 Regjistri është një përmbledhje e dokumenteve të paraqitura nga zyrtarët e lartë publik ashtu siç është paraparë në nenin 6, paragrafin 3 të këtij ligji.

 

11.2  Në regjistrin e deklarimit të  pasurisë së zyrtarit të lartë publik përfshihet: emri, mbiemri, numri personal, organin në të cilin ai punon dhe pozitën, si dhe informatat e kërkuara në pajtim me nenet 5 dhe 6 të këtij ligji.

 

11.3  Secili qytetar ose entitet ka të drejtë që në përputhje me ligjin mbi qasjen në dokumente zyrtare dhe bazuar në kërkesë të paraqitur me shkrim në Agjension, të ketë qasje në regjistër, të bëj kopje dhe të shkëput ekstrakt prej tij. Kërkesa me shkrim duhet të përfshij: emrin, mbiemrin, datën e lindjes, adresën dhe numrin e personal të kërkuesit.

 

11.4  Secili qytetar ose entitet ka të drejtë që me shkrim ti paraqes fakte dhe prova Agjensionit i cili në bazë të tyre ndërmerr hetime dhe mirëmban regjistrin, në bazë të të cilave kuptohet se informatat të cilat përfshihen në deklarimin e regjistrit janë të pavërteta ose jo të plota. Agjensioni brenda 60 ditësh nga marrja e informacionit njofton personin i cili ka paraqitur informacion lidhur me mënyrën se si është trajtuar informacioni.

 

11.5 Secila kërkesë e pranuar nga Agjensioni regjistrohet në një raport i cili përmban:

 

a)      Identifikimin e personit ose entitetit që kërkon qasje;

 

b)      Identifikimin e kërkesës;

 

c)      Çështjen për të cilën bëhen pyetje;

 

d)     Datën dhe kohën kur është siguruar informacioni;

 

e)      Identifikimin e burimit dhe mënyrën se si është siguruar informacioni.

 

11.6 Agjensioni në bazë të kërkesës siguron të gjitha dokumentet që gjenden në regjistër lidhur me ndonjë zyrtar publik organit i cili ka juridiksion në procedimet dhe vendimmarrjet lidhur me shkeljet e bëra nga zyrtari i përmendur.

 

 

11.7 Të gjitha të dhënat që mbahen në regjistër mund të përdoren dhe procedohen tutje vetëm për qëllime të zhdukjes së korrupsionit apo kontrollit të konflikteve të mundshme të interesit të zyrtarit publik në lidhje me ushtrimin e funksioneve publike.

 

11.8   Përpunimi i të dhënave personale që gjenden në regjistër nuk duhet të cenoj mbrojtjen e të dhënave personale në pajtim me ligjin e veçantë.

 

11.9  Publikimi në media i informacioneve që mbahen në regjistër është i lejuar, vetëm më kusht që të publikohet e tërë deklarata.

 

 

Neni 12

Autoriteti Kompetent

 

12.1  Autoritet kompetent i cili administron dhe mirëmban regjistrin është Agjensioni.

 

12.2       Administrimi i regjistrit përfshin:

 

a)      Pranimin dhe regjistrimin e deklarimeve të bëra ashtu siç është paraparë në Nenet 5 dhe 6 të këtij ligji;

 

b)      Arkivimin e kërkesave dhe kërkesave të paraqitura në Agjension ashtu siç është paraparë në nenin 11, paragrafin 3 të këtij ligji, për një periudhë kohore prej pesëmbëdhjetë vitesh nga parashtrimi i tyre;

 

c)      Arkivimin e deklarimeve të paraqitura Agjensionit ashtu siç është paraparë në nenet 5 dhe 6 të këtij ligji për një periudhë kohore prej dhjetë (10) vitesh nga përfundimi i punës në shërbimin publik;

 

d)     Mbikëqyrjen nëse informacioni i ofruar në deklarime ashtu siç është paraparë në nenet 5 dhe 6 të këtij ligji, është i plotë dhe kërkon informata shtesë;

 

e)      Pranimin e parashtresave në pajtim me nenin 11, paragrafin 4 të këtij ligji;

 

f)       Krijimin e raporteve për kërkesat e pranuara nga Agjensioni në pajtim me nenin 11, paragrafi 5 të këtij ligji;

 

g)      Ofrimin e dokumenteve ashtu siç është paraparë me nenin 11, paragrafi 6 të këtij ligji organeve që kanë autoritet të procedojnë çështjet e tilla.

 

12.3  Përpos nëse nuk është përcaktuar ndryshe me këtë ligj, nëpunësit e Agjensionit dhe personat tjerë që vijnë në kontakt me të dhënat e regjistruara janë të detyruar të mbajnë konfidencialitet të plotë lidhur me faktet që rrjedhin nga aty përpos nëse është informacion i cili si i tillë është pjesë e regjistrit. Informatat lidhur me personat që kanë dhënë informacione, që kanë dëshmuar për të dhëna të pavërteta ose jo të plota, që gjenden në deklarimet të cilat mbahen në regjistër është po ashtu çështje e konfidencialitetit të plotë.

 

12.4 Detyrimet e konfidencialitetit nuk zbatohen për organet që kanë juridiksion në procedimet dhe vendim-marrjet lidhur me shkeljet që janë bërë nga zyrtarët publik.

 

Kreu IV

Kontrolli i të dhënave të deklaruara

Neni 13

 

13.1  Agjensioni ndërmerr kontrollën paraprake dhe kontrollën e plotë të formularëve mbi deklarimin e gjendjes së pasurisë.

 

13.2    Kontrolla paraprake kryhen për çdo formular për të vërtetuar ekzistimin apo jo të gabimeve materiale ose plotësime të gabuara të formularit.

 

13.3 Kur nga përpunimi paraprak vërtetohen gabime materiale ose plotësime të gabuara, Agjensioni njofton subjektin që ka paraqitur këto deklarime, i cili, brenda 15 ditëve nga marrja e njoftimit, është i detyruar t’ i përmirësoj ato.

 

13.4  Kontrolla e plotë kryhet për  të verifikuar vërtetësinë dhe saktësinë e të dhënave të deklaruara në formular.

 

13.5   Mënyra, procedura dhe seleksionimi i nivelit të pozitave të zyrtarëve të lartë publik që i nënshtrohen kontrollit të plotë,  do të rregullohet me akt nënligjor i cili hartohet nga Agjensioni.

 

 

Neni 14

Detyrimi për ofrimin e të dhënave

 

14.1 Gjatë kryerjes së kontrollit dhe verifikimit të të dhënave të formularit, Agjensioni ka të drejtë të shfrytëzojë të dhënat e nevojshme në të gjithë institucionet publike dhe në personat juridikë publikë dhe privatë.

 

 

 

14.2   Me kërkesë të Agjensionit, Bankat dhe subjektet e tjera, që ushtrojnë veprimtari bankare dhe financiare në Kosovë, detyrohen të japin të dhëna për depozitat, llogaritë dhe transaksionet e kryera nga personat që sipas këtij ligji, kanë detyrimin për deklarim.

 

14.3   Subjektet e cekura në paragrafët 14.1 dhe 14.2 të këtij neni, janë të detyruara të vënë në dispozicion të gjitha të dhënat e kërkuara brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës me shkrim nga Agjensioni.

 

 

Kreu V

Dispozitat Ndëshkimore

 

Neni 15

 

15.1    Për çdo shkelje të detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj, kur nuk përbën vepër penale, Agjensioni shqipton këto sanksione:

 

a)      Për mosdeklarim të rregullt vjetor  të pasurisë, zyrtari i lartë publik dënohet me gjobë nga 300 (treqind) Euro deri në 1000 (një mijë) Euro;

 

 

b)      Për mosdeklarim me marrjen e detyrës, zyrtari i lartë publik, dënohet me gjobë nga 150 (njëqind e pesëdhjetë) Euro deri 500 (pesëqind) Euro;

 

c)      Për mosdeklarim me kërkesë të Agjensionit, zyrtari i lartë publik apo personat fizik e juridik të lidhur me zyrtarin e lartë publik, dënohet me gjobë prej 500 (pesëqind) Euro deri në 1500( njëmijë e pesëqind) Euro;

 

d)     Për mosdeklarim pas largimit nga funksioni, zyrtari i lartë publik, dënohet me gjobë nga 150 (njëqind e pesëdhjetë) Euro deri 500 (pesëqind) Euro.

 

15.2  Për çdo sanksion të shqiptuar, Agjensioni e njofton udhëheqësin  ose institucionin e zyrtarit të lartë publik të ndëshkuar.

 

15.3  Agjensioni do të publikoj emrat e zyrtarëve të lartë publik të cilët nuk e kanë dorëzuar formularin mbi gjendjen e pasurisë, ashtu siç është paraparë në këtë ligj.

 

Neni 16

 

16.1  Sanksionet llogariten sipas vlerësimit të masës së shkeljes dhe sipas pozitës së zyrtarit të lartë publik.

 

 

16.2  Sanksionet e cekura në nenin 15, paguhen nga zyrtari i lartë publik dhe derdhen në Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës jo më vonë së 30 ditë nga shqiptimi i sanksionit.

 

16.3 Nëse brenda këtij afati nuk përmbushet obligimi ligjor i përcaktuar në paragrafin 16.2, atëherë Agjensioni bënë kërkesë që vendimi të ekzekutohet në mënyrë të detyrueshme nga ana e institucionit ku zyrtari  i lartë publik është në marrëdhënie pune.

 

16.4   Ekzekutimi i sanksionit të përcaktuar në paragrafin 16.3, bëhet brenda 15 ditëve, duke ndal nga paga e zyrtarit të lartë publik, vlerën e shumës së sanksionit të shqiptuar, nga punëdhënësi ku është në marrëdhënie pune.

 

16.5  Nëse zyrtari i lartë publik nuk dorëzon formularin mbi gjendjen e pasurisë edhe pas ekzekutimit të detyrueshëm të sanksionit nga institucioni ku është i punësuar, Agjensioni njofton organin përgjegjës për fillimin e procedurës për shkarkimin nga detyra.

 

16.6 Institucioni është i obliguar ta informoj Agjensionin për vendimin e tij final.

 

Neni 17

Gjykata Kompetente

 

Gjykata Kompetente vendos në pajtim me ligjet në fuqi mbi shkeljet e detyrave në kundërshtim me këtë ligj nga ana e zyrtarëve të lartë publik, në rastet kur veprimet e tyre paraqesin elemente të veprës penale, e të cilat ndiqen sipas detyrës zyrtare nga ana e Prokurorit Publik.

 

 

 

Neni 18

Procedura

 

18.1  Me rastin e parashtrimit të kërkesës për fillimin e procedurës, prokurori fillon procedurën penale lidhur me shkeljet e bëra në kundërshtim me këtë ligj nga ana e zyrtarit të lartë publik, kur ekziston dyshimi se veprimet e tij paraqesin elemente të veprës penale.

 

18.2  Kërkesa për fillimin e Procedurës mund të parashtrohet nga Agjensioni dhe çdokush që ka arsye të bazuar se zyrtari i lartë publik ka shkelur detyrat e tij.

 

18.3  Kërkesa për fillimin e procedurës duhet të parashtrohet brenda gjashtë muajve nga dita kur Agjensioni apo personi që ka të drejtë të parashtroj kërkesë për fillimin e procedurës ka mësuar për faktet që përfshijnë shkeljet e këtij ligji dhe brenda pesë viteve të ndodhjes së fakteve të tilla, pa marrë parasysh nëse puna në shërbimi publik ka përfunduar.

  Neni 19

 19.1  Gjykata ka të drejtë të rishikoj nëse informacioni i siguruar në deklarimet që mbahen në regjistër është i saktë, i vërtetë dhe i plotë. Në atë kuptim gjykata ka të drejtë të kërkoj bashkëpunim nga organet relevante qeveritare, autoritetet e vetë-qeverisjes lokale, personat tjerë juridik dhe fizik, si dhe të kërkoj nga këto subjekte informacione, shpjegime dhe konfirmime të nevojshme për të vendosur se informatat që gjenden në regjistër, korrespondojnë me faktet dhe provat.

 

19.2   Në bazë të kërkesës së gjykatës këto subjekte i sigurojnë bashkëpunim gjykatës. Informatat dhe shpjegimet e nevojshme i jepen gjykatës në afatet kohore të përcaktuara nga gjykata, i cili nuk duhet të jetë më e shkurtë së 10 ditë pune. Informatat sigurohen falas, përpos nëse është paraparë ndryshe me ligj i veçantë.

 

19.3  Procedura duhet të përfundoj edhe nëse zyrtari i lartë publik jep dorëheqje ose shkarkohet nga puna para se gjykata të sjell vendimin.

 

Kreu VI

Shfuqizimi

 

Neni 20

 

Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, shfuqizohet Kreu V i Ligjit Kundër Korrupsionit, i shpallur me Rregulloren e UNMIK-ut nr. 2005/26.

 

 

Kreu VII

Hyrja në fuqi

 

Neni 21

 

Ky ligj hyn në fuqi pas miratimit Të tij nga Kuvendi i Kosovës dhe në ditën e Shpalljes nga ana e PSSP.  

 

 

Kryetari i Kuvendit,

Kolë Berisha

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: