Projektligji për Financimin e Partive Politike

REPUBLIKA E KOSOVËS

KUVENDI

 

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës

Miraton

Ligjin për financimin e subjekteve politike

 

Neni 1

Qëllimi dhe fushëveprimi

 

Ky ligj rregullon mënyrën, kushtet e financimit, administrimin, mbikëqyrjen, transparencën dhe raportimin për  shpenzimin e pasurisë dhe të ardhurave të subjekteve politike.

 

Neni 2

Përkufizimet

 

1.         Për qëllim të këtij ligji:

1.1.      “Administrim” është organizimi, drejtimi, përdorimi, kujdesi dhe shpenzimi me nikoqirllëk i pasurisë nga subjektet politike;

                        “APK” Auditori i Përgjithshëm i Kosovës;

                        “Fletë bilanci” është deklarimi financiar i pasurisë, të ardhurave dhe detyrimeve të subjekteve politike;

                        “Fondi për mbështetjen e subjekteve politike-Fondi” është fondi për financimin e subjekteve politike përmes Buxhetit të Republikës së Kosovës i cili funksionon në kuadër të Kuvendit të Republikës së Kosovës;

                        “KQZ” Komisioni Qendror i Zgjedhjeve;

1.6.      “Kontributet” janë dhuratat (donacionet) ose ndihma e cilitdo lloj që i jepet subjektit politik, qoftë në para të gatshme apo në të mira tjera materiale;

1.7.      “Kuotizacion” është shumë e caktuar e të hollave, që paguhet çdo muaj ose çdo vit për anëtarësinë në një organizatë;

1.8.      “Parti politike” është çdo parti politike e regjistruar dhe e certifikuar nga organi kompetent për regjistrim dhe certifikim;

1.9.      “Pasuri” është tërësia e sendeve, e mjeteve materiale, parave dhe e vlerave tjera që ka një subjekt politik;

1.10.    “Përfaqësuesi financiar” është personi përgjegjës për mbajtjen e shënimeve financiare të subjektit politik;

1.11.    “Subjekti politik” është parti politike, koalicion, nismë qytetare ose kandidat i pavarur;

1.12.    “Subjekt i certifikuar politik” është subjekti i certifikuar politike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përputhje me ligjin në fuqi dhe me rregullat e KQZ-së;

1.13.    “Shpenzimet për fushatë” janë të gjitha shpenzimet dhe pagesat e bëra për mallra dhe shërbime në pajtim me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme;

1.14.    “Të ardhura” janë çdo shumë monetare e pranuar, apo çdo kontribut i pranuar (nga qytetarët, nga personat juridik nga subjektet tjerë vendas, nga kuota e anëtarësisë, nga Buxheti i Republikës së Kosovës); kontributet nga jashtë (nga individët, personat juridik, bizneset ose organizatat tjera të çfarëdo lloji, që janë të regjistruara apo të evidencuara në institucionet gjegjëse dhe që dëshmojnë identitetin, qëllimin e dhënies dhe prejardhjen e mjeteve dhe të dhuruara);  vlera e kontributeve në formë të mallrave dhe shërbimeve dhe çfarëdo pagese tjetër për subjektin politik.

 

Neni 3

Statusi i subjektit politik

 

1.         Subjekti Politik është person juridik jo fitimprurës dhe ka pasuri për kryerjen e veprimtarisë së vet.

 

2.         Rregullat e përcaktuara në paragrafin 1 të këtij neni vlejnë për të gjitha subjektet politike.

 

Neni 4

Burimet financiare dhe materiale

 

1. Burimet financiare dhe materiale të subjekteve politike përbëhen nga:

 

1.1.      Kuotizacionet (pagesat) e anëtarësisë;

1.2.      financimi nga  Buxheti i Republikës së Kosovës; 

1.3.      çdo pasuri e fituar në mënyrë të ligjshme;

1.4.      të ardhurat nga aktivitetet e partisë të përcaktuara me nenin 6.

 

Neni 5

Kontributet për subjektet politike

 

1.         Subjektet Politike lejohen të marrin kontribute nga:

1.1.      qytetarët me të drejtë vote, në vlerë prej, jo më shumë se, _____________  euro për një vit kalendarik dhe nëse kontributdhënësi disponon prejardhje të ligjshme të kontributit të tij;

1.2.      personat juridik në vlerë prej, jo më shumë se, ____________ euro për një vit kalendarik qe disponojnë prejardhjen ligjore të pasurisë;

 

2.         Subjekti politik i cila pranon një kontribut, origjinën dhe prejardhjen e të cilit, kontributdhënësi, nuk mund ta dëshmojë, detyrohet, që brenda dy jave, t’i njoftojë organet kompetente për vërtetimin e prejardhjes së këtij kontributi.

 

3.         Nëse nuk mund të dëshmohet prejardhja e kontributit, kjo vlerë mbetet në Buxhetin e Republikës së Kosovës.

 

4.         Ndalohen harxhimet e burimeve financiare, të referuara në paragrafët e mësipërm për  nevoja personale.

 

5.         Të gjitha kontributet duhet të regjistrohen nga subjekti politik në regjistrat financiare.

 

 

Neni 6

Të ardhurat nga aktivitetet e subjekteve politike

 

1.         Subjektet  Politike nuk mund të ushtrojnë veprimtari financiare  fitimprurëse, përveç  shitjes së të mirave siç janë: publikimet, botimet, shitja e materialeve reklamuese, posterëve me emblemën apo akronimin e partisë dhe burimeve tjera të lejuara me ligj, për mbështetjen e tyre gjatë fushatës zgjedhore.

 

 2.        Të hyrat dhe të dalat nga aktivitetet financiare të subjekteve politike duhet të regjistrohen në regjistrat financiare.

 

Neni 7

Fondi për mbështetjen e subjekteve politike

 

1.         Financimi publik i Subjekteve Politike bëhet përmes Buxhetit të Republikës së Kosovës, nga Fondit për mbështetjen e subjekteve politike. 

 

2.         Fondi për mbështetjen e subjekteve politike funksionon në kuadër të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

 

3.         Shuma e mjeteve buxhetore dedikuar Fondit për mbeshtetjen e partive politike nuk mund të kalojë 1% (një përqind) të Buxhetit të Kosovës.

 

4.         Burimet financiare publike,  nga buxheti i Republikës së Kosovës, shfrytëzohen  për financimin e aktiviteteve parazgjedhore e zgjedhore, financimin dhe punën e Grupeve Parlamentare dhe financimin e aktiviteteve të rregullta të Partive Politike. 

 

5.         Ndarja e mjeteve të Fondit bëhet në bazë të kritereve të paraqitura në nenin 8 të këtij Ligji.

 

 

Neni 8

Qëllimi i përdorimit të mjeteve nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike

 

1.         Mjetet nga Fondi mund të përdoren për këto qëllime:

1.1.      financimi i aktiviteteve të subjekteve politike,

1.2.      financimi i degëve të Partisë Politike,

1.3.      shpenzimet materiale vjetore të deputetëve dhe punën e Grupeve Parlamentare    për aktivitete partiake,

1.4.      shpenzimet për zgjedhjet lokale dhe qendrore, dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të subjekteve politike.

 

 

 

 

 

Neni 9

Ndarja e mjeteve financiare publike

 

1.         Për financimin e aktiviteteve të rregullta të subjektit politik, mjetet nga Fondi për mbështetjen e partive politike, ndahen:

 

1.1.      90 % e mjeteve, në përputhje me vendet e fituara në Kuvend në zgjedhjet e fundit dhe

 

1.2.      10% e mjeteve ndahen mes subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend sipas numrit të deputetëve.

 

Neni 10

Ndarja e mjeteve financiare për fushatat zgjedhore

 

  1. Për financimin e fushatës zgjedhore qendrore dhe lokale, për zgjedhje të rregullta dhe të jashtëzakonshme, Kuvendi, nga Fondi, ndan mjete me propozim të Qeverisë por jo më shumë së 0.1% të buxhetit të Kosovës.

 

  1. Mjetet për financimin e fushatës para zgjedhore ndahen  për subjektet politike të cilat marrin pjesë në zgjedhje sipas këtyre kritereve:

2.1.      60% e mjeteve financiare ndahen në bazë të numrit të vendeve të fituara në zgjedhjet e fundit qendrore.

2.2.      30% e mjeteve financiare ndahen proporcionalisht me numrin e këshilltarëve në Kuvendet Komunale.

2.3.      10% e mjeteve financiare ndahen për subjektet Politike të posaregjistruara dhe të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

 

Neni 11

Ndalimi i ndihmave financiare

 

1.         Ndalohet ndihma financiare dhe materiale nga:

1.1.     organizatat e huaja qeveritare dhe joqeveritare, që kanë për qëllim rrezikimin dhe destabilizimin e sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës;

1.2.     institucionet, entet apo asociacionet publike ose private të huaja, të cilat nuk i bëjnë publike ndihmat e tyre, nuk e tregojnë qëllimin e këtyre ndihmave ose kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë; 

1.3.      personat anonim fizik dhe juridik;

1.4.      dhuruesit (donatorët) anonim;

1.5.      institucionet dhe ndërmarrjet me kapital të fituar nga bixhozi, bastoret e ndryshme apo lojërat e fatit, si dhe nga

1.6.      entet vendase publike ose me pjesëmarrje të kapitalit shtetërorë.

2.         Ndërmarrjet publike dhe private, të cilat, përmes kontratave me Institucionet e shtetit, kryejnë shërbime, nuk munden t’i përkrahin financiarisht Partitë Politike.

 

 

 

Neni 12

Ndalimi i ushtrimit të presionit

 

1.         Ndalohet ushtrimi i çfarëdo forme të presionit politik në personat fizik dhe juridik për mbledhjen e kontributeve për Partitë Politike.

 

2.         Ndalohet premtimi i privilegjeve apo përfitimeve personale kundërligjore ndaj dhuruesit (donatorit) të ndonjë subjekti politik.

 

 

 

 

Neni 13

Mbledhja e mjeteve

 

1.         Subjekti Politik, përveç pagesës nga kuotizacioni i anëtarësisë, ka të drejtë të fillojë të mbledh mjete për shpenzimet e saj zgjedhore, jo më shumë se 6 muaj, para fillimit të fushatës zgjedhore.

2.         Subjekti Politik, për qëllimet e parapara me paragrafin 1 të këtij neni, e hapë një llogari bankare të veçantë, në njërën nga bankat komerciale të lejuara në Republikën e Kosovës,

3.         Subjekti Politik është i detyruar të mbajë shënime të sakta për prejardhjen, strukturimin dhe qarkullimin e shumave të mjeteve të mbledhura.

 

Neni 14

Përgjegjësia për shfrytëzimin e mjeteve

 

1.         Subjekti Politik cakton një zyrtar të autorizuar financiar i cili mban përgjegjësinë:

1.1.      për regjistrimin e të ardhurave;

1.2.      për shpenzimet e mjeteve;

1.3.      për dorëzimin e raportit final të mjeteve të harxhuara;

1.4.      për dorëzimin e Raportit të Deklarimit Financiar të Fushatës, dhe

1.5.      për detyrimet tjera lidhur me të ardhurat, shpenzimet, paraqitjen e qëllimeve dhe ndarjen e shumës së mjeteve të secilit subjekt,

2.         Zyrtari i autorizuar financiar i partisë dhe kryetari i partisë janë ligjërisht përgjegjës për saktësinë e të gjitha informatave të dorëzuara në KQZ-së dhe Institucionet tjera ashtu siç kërkohet me ligj.

 

 

Neni 15

Publikimi dhe  Raportimi financiar

 

  1. Subjektet politike  mbajnë shënime të hollësishme për gjithë pasurinë dhe shpenzimet e saj.

 

  1. Shënimet financiare të subjekteve politike përfshijnë burimet, shumën, strukturën dhe qarkullimin e shpenzimeve, të cilat, në pajtim me Ligjin, mund të jene objekt i inspektimit  nga ana e organeve të autorizuara me ligj.

 

  1. Subjektet politike i paraqesin, institucioneve përkatëse, shënimet e hollësishme për të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e bëra. 

 

4.         Subjektet politike në mënyrë transparente, paraqesin burimin dhe destinimin e shpenzimeve të mjeteve gjatë vitit kalendarik.

 

5.         Në qoftë se një subjekt politik i ka përfituar apo shfrytëzuar këto mjete në mënyrën joligjore, apo nuk ka publikuar gjendjen në raportet dhe librat e shpenzimeve financiare, i nënshtrohen masave ndëshkuese në pajtim me Ligjet në fuqi.

 

Neni 16

Trajtimi fiskal i të ardhurave të Subjekteve Politike

 

1.         Të ardhurat nga kuotizacionet e anëtarësisë dhe të ardhurat e përcaktuara në nenin 6 nuk tatimohen.

2.         Të ardhurat tjera të Subjekteve politike tatimohen.

 

Neni 17

Kontrolli i brendshëm

 

1.         Subjektet Politike ejani të  detyruar të definojnë në Statut mundësinë e ushtrimit të kontrollit të brendshëm financiar të saj.

2.         Subjektet Politike duhet të definoje qartë, me Statut, të drejtën e anëtarëve për t’u informuar për të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e partisë politike si dhe për përgjegjësinë e organit gjegjës për transaksione financiare.

 

Neni 18

Mospagimi i detyrimeve

 

Në rastet kur një subjekt politik nuk paguan detyrimet si gjoba, dënime gjyqësore, fatura etj., atëherë shuma përkatëse i zbritet nga buxheti që i ndahet nga Fondi për mbështetje subjekteve politike.

 

Neni 19

Kontrolli financiar

 

1.         APK, KQZ-ja dhe ministria përkatëse për financa janë organe kompetent të  ngarkuara me funksionin e kontrollit financiar të subjekteve politike. Ky kontroll, për APK dhe KQZ, nuk kufizohet vetëm në pjesën  e buxhetit të subjekteve që sigurohen nga Fondi, por do t’i mbulojnë edhe të ardhurat tjera. APK ka të drejtë të ushtrojë kontroll financiar mbi partitë politike para dhe pas fushatave elektorale.

2.         Institucionet e sipërshënuara, kur me ligje të veçanta nuk është përcaktuar ndryshe, në hollësi, me akte nënligjore, i përcaktojnë kushtet, afatet dhe mënyrat e paraqitjes së raporteve financiare, si dhe pasojat dhe sanksionet për mosparaqitjen e tyre.

3.         Subjektet politike, kundër vendimit të institucioneve të sipërpërmendura, kur me ligje ne fuqi nuk është paraparë ndryshe, kanë të drejtë ankese në Gjykatën kompetente.

 

Neni 20

Ndarja e pasurisë

 

1.         Në rastin e ndarjes së subjekteve politike, ndarja e pasurisë bëhet  me marrëveshje.

2.         Kur nuk ka marrëveshje të subjekteve politike, ndarja e pasurisë bëhet përmes gjykates kompetente

 

Neni 21

Dispozitat ndëshkimore

 

1.         Partia Politike  do të gjobitet prej 3.000  deri në 10.000 Euro, ndërsa, Kandidatët për deputet dhe këshilltarë si dhe kandidatët e pavarur do të gjobitet prej 5.00  deri në 3.000 Euro, për cenim të dispozitave të këtij Ligji, në qoftë se:

1.1.      Pranon të ardhura mjete në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji dhe legjislacionit tjetër në fuqi;

1.2.      Mban shënimet në regjistrat e veta në kundërshtim me dispozitat e këtij Ligji dhe legjislacionit tjetër në fuqi;

1.3.      nuk i përmbahen dispozitave të këtij ligji dhe dispozitave tjera të ligjeve tjera në fuqi, për zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale.

 

2.         Personi përgjegjës brenda partisë politike, dënohet në shumë prej 300 Euro deri në 1.000 Euro për cenim e dispozitave të këtij ligji.

 

3.         Në qoftë se kandidati nga një Parti Politike, për pozitën e deputetit apo të këshilltarit, dhe kandidati i pavarur, ka cenuar dispozitat e këtij Ligji, Partia Politike është e detyruar të kthejë mjetet e fondit që ka pranuar nga buxheti për financimin e fushatës zgjedhore të këtij kandidati, i cili ka cenuar dispozitat e këtij ligji dhe dispozitat e ligjeve tjera në fuqi.

 

4.         Të hyrat nga gjobat sipas këtij Ligji derdhen në buxhetin e Republikës së Kosovës.

 

Neni 22

Paraqitja e pasurisë

 

Në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe jo më larg se gjashtë muaj, subjektet politike janë të detyruara të paraqesin tek organet përkatëse të dhënat për pasuritë e tyre, të kategorizuara sipas vlerës, llojit dhe origjinës.

 

Neni 23

Organi përgjegjës për nxjerrjen e akteve nënligjore

 

APK, KQZ dhe Qeveria, sipas nevojës nxjerrin akte të veçanta për zbatimin e këtij Ligji

 

 

Neni 24

Dispozitat shfuqizuese

 

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohen të gjitha dispozitat që rregullojnë çështjet e financimit të subjekteve politike, të cilat janë në kundërshtim me këtë ligj.

 

Neni 25

Hyrja në fuqi

 

Ky ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

 

 

Jakup Krasniqi

________________

Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: