Tryezat

 

 

 

Partitë e vogla kërkojnë të përfitojnë nga fondi për mbështetje të subjekteve politike

Prizren, 11 nëntor 2009 – Instituti Demokratik i Kosovës dhe Lëvizja FOL, kanë prezantuar para shoqërisë civile dhe partive politike, Projektligjin për Financimin e Partive Politike, për të marrë rekomandimet e tyre, kjo në kuadër të programit “Bazë Ligjore dhe Mekanizma Funksional për Qeverisje të Mirë”.

Pjesëmarrësit në tryezë kanë vlerësuar se Ligji për Financimin e Partive Politike duhet që të nxirret sa më shpejtë, ndërkohë kanë përgëzuar iniciativën e shoqërisë civile për avokimin që po bëjnë për këtë ligj.

Qëllimi i programit “Bazë Ligjore dhe Mekanizma Funksional për Qeverisje të Mirë”, është që të paraqiten projektligjet anti-korrupsion që janë në diskutim dhe të merren rekomandimet e përfaqësuesve të partive politike dhe shoqërisë civile në nivel lokal.

Merita Mustafa nga KDI, ka prezantuar Projektligjin për Financimin e Partive Politike, ndërkohë u ka bërë thirrje pjesëmarrësve të tryezës që të paraqesin mënyrat më të mira që duhet të përmbaj ky ligj.

Panelistë në tryezë kanë qenë: Njazi Kryeziu nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Merita Mustafa nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Pjesëmarrësit në këtë tryezë kanë vlerësuar se Ligji për Financimin e Partive Politike duhet të rregulloj çështjen e financimit edhe të partive jashtë Parlamentit. Partitë politike jashtë parlamentit kanë kërkuar që edhe ata të përfshihen në përfitimin e mjeteve nga fondi për mbështetje të subjekteve politike.

“Deri më tani partitë e vogla apo ato që janë jashtë Parlamentit kanë qenë disi të diskriminuara. Është një ligj i padrejtë pasi që i diskriminon partitë të cilat nuk e kalojnë pragun zgjedhor”, është thënë në tryezë.

Pjesëmarrësit në këtë tryezë kanë thënë gjithashtu se subjektet politike të sapo formuara dhe të certifikuara, nuk e dinë se sa mjete u takojnë me ligj që të financohen. Po ashtu është konstatuar se donatorët të cilët japin kontributet për një parti, druajnë nga publikimi i emrave të tyre dhe se hezitojnë të finacojnë partitë e vogla.

Rekomandimet e tryezës:

Duhet të jepet mundësia që edhe subjektet politike të cilat janë jashtë Parlamentit, të financohen nga fondi për mbështetje të subjekteve politike.

Auditimi i partive politike duhet të rregullohet me ligj dhe jo me akte nënligjore.

Duhet që partitë politike në nivel lokal, ta gëzojnë të drejtën që të financohen nga buxheti i Kosovës.

Partive politike duhet t’ju lejohet financimi edhe nga donacionet dhe anëtarësimi.

Raportet financiare të partive duhet të publikohen në uebfaqe të partive dhe uebfaqe të KQZ-së.

Duhet të caktohet një limit për shumën e donacioneve dhe shumën e anëtarësimit për një vit.

Ligji për financimin e partive politike duhet të harmonizohet me ligjin mbi financat.

Duhet të ketë limit të shpenzimeve për fushata parazgjedhore.

KQZ-ja duhet t’i informoj më shumë subjektet politike të sapo-regjistruara dhe të certifikuara për fondet që ju takojnë.

Projektligji duhet të ketë parasysh edhe financimin e kandidatëve të pavarur.

Degët e partisë duhet të japin llogari apo t’i tregojnë shefit të shtabit për donacionet që marrin.

 

Peja kërkon financim të partive me standarde evropiane

Pejë, 5 nëntor, 2009 – Krijimi i një kornize ligjore me përfshirjen e parimeve të Këshillit Evropian për financimin e partive politike, ka qenë kërkesa e partive politike në Pejë, në një debat të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Lëvizja FOL.

Në kuadër të programit “Bazë Ligjore dhe Mekanizma Funksional për Qeverisje të Mirë”, KDI dhe Lëvizja FOL, kanë shtruar në diskutim para qytetarëve të Pejës për Projektligjin për Financimin e Partive Politike, duke marrë kështu rekomandimet që do të duhej të përfshihen në këtë Ligj.

Në tryezën e organizuar nga KDI dhe Lëvizja FOL, me përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile, janë diskutuar mundësitë e gjetjes së zgjidhjeve më të mira për Ligjin për Financimin e Partive Politike, qëllim ky i iniciativës së këtyre dy organizatave. Përfaqësues të KDI-së kanë prezantuar Projektligjin për Financimin e Partive Politike, duke kërkuar nga pjesëmarrësit të japin idetë dhe rekomandimet e tyre për këtë ligj.

Në tryezë kanë marrë pjesë edhe deputetët të Kuvendit të Kosovës. Deputetja Gjylnaze Sylaj, ka rekomanduar që baza ligjore që rregullon financimin e partive politike, duhet të jetë kompatibile me standardet evropiane dhe parimet e Këshillit Evropian.

Në tryezë është kërkuar po ashtu që të ketë më shumë transparencë të partive politike sa i përket financimit të tyre. Një kërkesë tjetër e dalur nga kjo tryezë, ka qenë edhe rishikimi i çështjes së gjobave për partitë e papërgjegjshme, duke kërkuar rritjen e gjobave për partitë që nuk i kryejnë obligimet ligjore për financimin e tyre.

Rekomandimet e tryezës:

• Krijimi i një kornize ligjore është mase i nevojshëm.
• Parimet e Këshillit Evropian duhet të përfshihen në ligj.
• Partitë politike duhet të financohen nga buxheti në mënyrë që të parandalohet varësia nga donatorët që mund të kenë ndikime politike.
• Neni 5.1 i Ligjit për Financimin e Partive Politike, nuk e definon se sa duhet të paguaj brenda një viti – anëtarësia e partive politike.
• Të qartësohet Gjykata kompetente që do të jetë përgjegjëse për ndëshkimin e shkelësve të ligjit.
• Gjobat nuk janë të mjaftueshme – të përcaktohet me një përqindje, varësisht prej buxhetit të ndarë për partinë.
• Mekanizmat mbikëqyrës duhet te jenë organe të pavarura.
• Është diskutabile nëse 1% e buxhetit duhet të ndahet për financimin e partive politike – për shkak se nëse rritet buxheti atëherë kjo shumë do të jetë shumë e madhe.
• Duhet të përcaktohet se cilat shpenzime, grupet parlamentare duhet t’i mbulojnë me këtë fond.
• Transparenca brenda partive duhet të ekzistoj – ka shumë parti të cilat nuk e din se sa fonde merr subjekti i tyre.
• Në këtë ligj duhet të përfshihen edhe ato parti të cilat kanë deputet në Asambletë Komunale.
• Duhet të ketë limit të donacioneve.
• Është vërtetuar se donatorët hezitojnë t’i financojnë partitë e vogla (kjo për shkak se nuk kanë interes – dhe nuk mund t’ju shpaguhet donacioni nga p. e vogla).
• Duhet të specifikohet se si bëhet ndarja e mjeteve për partitë në koalicion (kjo mund të bëhet edhe me marrëveshje në mes tyre – por ndonjëherë është vështirë sepse partitë e vogla mbesin në mëshirë të grupit parlamentar-(pjesemarresit kane dhene edhe shembuj se disa deklarojnë vetëm 10 % të fondeve).
• Të bëhet një komision gjithëpërfshirës për Auditim.

 

Gjilani kërkon qartësimin e Ligjit për Financimin e Partive Politike

Gjilan, 14 tetor 2009 – Instituti Demokratik i Kosovës dhe Lëvizja FOL, në kuadër të programit “Bazë Ligjore dhe Mekanizma Funksional për Qeverisje të Mirë”, kanë shpalosur para shoqërisë civile dhe partive politike, Projektligjin për Financimin e Partive Politike, për të marrë rekomandimet e tyre. Në tryezën e organizuar në Gjilan, pjesëmarrësit kanë vlerësuar se Ligji për Financimin e Partive Politike është vonuar dhe se ka një rëndësi të veçantë për rritjen e transparencës së partive politike.

Merita Mustafa, paneliste, nga KDI, ka thënë se qëllimi i tryezës ka të bëjë me diskutimin e Projektligjit dhe marrjen e rekomandimeve konkrete. “Deri më tani financimi i partive politike është sanksionuar me rregullore të UNMIK-ut dhe se kjo çështje duhet të rregullohet me ligj”, ka thënë Mustafa.
Panelisti Naser Rugova, deputet i Kuvendit të Kosovës, ka vlerësuar se financimi i partive politike nuk është i rregulluar në mënyrën e duhur dhe se është momenti i fundit që të miratohet ky ligj. “Partitë politike po financohen në mënyrë klandestine dhe me burime financiare të çuditshme”, ka deklaruar Rugova. Sipas tij, mungesa e këtij ligji, krijon institucione të përhimëta, e jo transparente dhe të bardha., Rugova ka paraqitur disa vërejtje dhe rekomandime që duhet t’i përmbaj ligji.

Pjesëmarrësit kanë paraqitur rekomandime konkrete, duke kërkuar që ky ligj financimi i partive politike të jetë transparent dhe të ketë llogaridhënie të partive politike.

Erit Shabani, nga Komisioni Komunal Zgjedhor, ka kërkuar që në kuadër të përbërjeve të Komisioneve Parlamentare, të ketë edhe njerëz profesionistë. “Kam edhe vërejtje konkrete rreth përmbajtjes së projektligjit, sidomos në përkufizime”, ka thënë ai.

Nexhat Hajrullahu nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kërkuar që ligjet të hartohen në bazë të prioriteteve.

Debatuesit kanë konsideruar se problemi më i madh tek partitë politike ka të bëjë me mungesën e vullnetit për të qenë llogaridhënës.

Rekomandimet e tryezës:
Shoqëria civile të përfshihet në grupet punuese gjatë hartimit të ligjit
Të parashikohen gjoba më të ashpra për partitë politike të cilat nuk i përmbahen ligjit
Të precizohet institucioni përgjegjës që shqipton sanksionet
Të qartësohet se kush duhet ta mbikëqyr fondin për mbështetje të partive politike
Terminologjia e përdorur në projektligj, të qartësohet
Të qartësohet institucioni përgjegjës që partitë politike duhet t’i japin llogari
Te parashihet qartësisht institucioni ku partitë politike duhet të deklarojnë të hyrat
Te qartësohet institucioni ku duhet të bëhet publikimi i raportit financiar i partive politike

 

Projektligjet më afër qytetarëve

Të premtën, KDI dhe FOL kanë zhvilluar në Ferizaj një takim me përfaqësues të shoqërisë civile dhe partive politike për të diskutuar për Draft Ligjin për Financimin e Partive Politike, me qëllim të marrjes së rekomandimeve.
Të pranishmit kanë vlerësuar se projektligji aktual, i cili ende nuk ka kaluar në Kuvend, duhet të pësoj disa ndryshime, me qëllim të rritjes së transparencës së partive politike dhe luftimit të korrupsionit.

Ramadan Ilazi, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL, ka thënë se qëllimi i tryezës në Ferizaj, është nxjerrja e rekomandimeve për draft Ligjin për financimin e partive politike në Kosovë. “Ky ligj përbën një rëndësi të veçantë në luftimin e korrupsionit. Partitë Politike duhet domosdo të bëjnë publike burimet dhe shpenzimet e tyre financiare”, ka thënë Ilazi. Sipas tij, shoqëria civile do të ofroj kontributin e saj në këtë proces, duke shpresuar se rekomandimet do të merren parasysh nga Kuvendi i Kosovës në mënyrë që ligji të jetë një kontribuues i luftimit të korrupsionit.

Ndërkohë, Armend Zemaj, anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, deklaroi se roli i Shoqërisë civile dhe debatet e tilla janë më se të domosdoshme në hartimin e Ligjeve. “Mënyra e financimit të partive politike në Kosovë ka qenë e rregulluar vetëm përmes një rregulloreje, andaj në këtë rast konsideroj se jemi vonuar dhe ky Ligj është dashur të jetë i përfunduar deri më tani”, ka thënë ai. Zemaj ka shtuar se për këtë Ligj do të formohet një nënkomision dhe se dëgjimet publike do të ndihmojnë shumë në përmirësimin e Ligjit dhe se shoqëria civile do të jap kontributin e saj.

Vërejtje për Projektligjin ka paraqitur edhe Kujtim Kerveshi, ekspert ligjor. “Kam shumë vërejtje, si për nga përmbajtja e këtij projektligji, ashtu edhe për nocionet juridike që janë përdorur, andaj mendoj se Kuvendi i Kosovës nuk duhet ta miratoj as në parim”, ka kërkuar Kërveshi. Sipas tij, nuk mund të detyrohet një strukturë e caktuar të deklaroj pasurinë, përderisa dikush tjetër bëhet multi-milioner, jashtë përmes tenderimit.

Përfaqësuesit e partive politike në Ferizaj kanë kërkuar kontroll financiartë partive politike. Medain Hashani, kryetar i ORA-s në Ferizaj, ka thënë se partitë politike me këtë ligj do të jenë të detyruar t’i nënshtrohen Auditorit Gjeneral, gjë të cilën nuk e kanë bërë deri më tani. Ai kërkoi që po ashtu në këtë ligj të kërkohet që nga Auditori Gjeneral, të formohen grupe të caktuara të cilat do bënin monitorimin e shpenzimeve gjatë fushatës zgjedhore.

Ndërsa Xhevdet Shabani, anëtar i Kryesisë se LDD-se në Ferizaj, deklaroi se mënyra e financimit është fokusuar vetëm në nivelin qendror dhe jo në atë lokal dhe këtij ligji i mungon një qasje e tillë. “Degët e partive varen vetëm nga qendra, se sa ata dëshirojnë të japin”, ka thënë Shabani.
KDI dhe FOL ka tre muaj që kanë filluar një program të përbashkët, mbështetur nga USAID dhe Instituti për Komunitete të Qëndrueshme, qëllimi kryesor i të cilit është monitorimi i hartimit dhe implementimit të pakos ligjore kundër-korrupsion.

Në kuadër të programit do të realizohen një varg tryezash të diskutimit me shoqërinë civile dhe partitë politike nga të cilat synohet që të nxjerrim rekomandimet e duhura që do t’i shërbenin Kuvendit të Republikës Kosovës që ky projekt ligj të jetë i standardeve më të avancuar për luftën kundër-korrupsionit. Të ftuar në këtë tryezë do të jenë: Deputet të Kuvendit të Kosovë, Partitë Politike, udhëheqësit komunal, ekspertet ligjor, organizatat jo-qeveritare, qytetarët dhe mediet.

Konkluzionet dhe rekomandimet:

1) Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të bëjë monitorimin e shpenzimeve të Partive Politike gjatë fushatave zgjedhore.

2) Të përkufizohet shpërndarja e buxhetit të partive politike nga financimi i buxhetit publik në mënyrë që të përfshihen degët e partive politike.

3) Harmonizimi i ligjit për financimin e partive politike me ligjin për financa

4) Të rishikohen masat disiplinore ndaj shkelësve të sanksioneve të përcaktuara me ligj.

5) Të caktohet adresa e gjykatave që janë bartëse të interpretimeve të ligjit.

6) Të përcaktohen edhe Konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme nga partitë politike.

7) Të shqyrtohen aspektet e financimit të fushatës zgjedhore nga parat e taksapaguesve.

8) Të rregullohen nocionet juridike të cilat kanë mangësi dhe krijojnë keqkuptim

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: