Sa është duke punuar Kuvendi në zgjidhjen e çështjes së financimit të partive politike?

April 14, 2010

Instituti Demokratik i Kosovës dhe Lëvizja FOL

Megjithëse Kuvendi i Kosovës bëri hapë të mirë me miratimin e Ligjit për Deklarimin dhe Prejardhjen Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë, ky institucion po çalon në nxjerrjen e Ligjit për Financimin e Partive Politike i cili përbën një rëndësi të veçan në luftën kundër korrupsionit.  Projektligji është miratuar në leximin e pare me 29 Nëntor 2009 mirëpo që nga kjo datë Kuvendi nuk ka lëvizur duke shkelur kështu afatin prej 2 muajve që rregullorja e punës parasheh brenda së cilës periudhë do të duhej që Kuvendi të shqyrton ligjin.

Problemi kryesor me këtë projektligj është se nuk po është e saktë cilat janë çështjet kontestuese në përmbajtjen aktuale të tij.  Ajo çka dihet është se sanksionet janë shumë te dobëta  apo më mirë të themi ndëshkimet financiare janë shumë të ulëta në shumat që parashikohet. Diferenca për ndëshkimin e një është shume e vogël diku  500 – 3000 për kandidat , ndërsa  3000-10000 për partitë. Neni 21 i projektligjit në pikën 2 deklaron se personi përgjegjës brenda partisë politike dënohet ne shume prej 300 deri ne 1000 euro për cenim te dispozitave te ligjit. Ky sanksionon mund ti inkurajoj partitë politike të vazhdojnë të injorojnë kërkesën për transparencë dhe llogaridhënien në prejardhjen e pasurisë së tyre dhe financimit të fushatave elektorale.

 Pothuajse të gjitha Partitë kryesore politike në vend kanë munguar në dëgjimin publik për projektligjin i cili mbetet dhe aktiviteti i vetëm i komunikimit me jashtë sa i përket projektligjit. Grupi punues i cili është duke e përpunuar projektligjin përbehet nga anëtarët e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa ku ligji trajtohet në mënyrë institucionale. Pra pjesëtarët e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa përbëjnë edhe grupin e punës për projektligj duke lënë anash kështu përfaqësim më të mirë te partive ose grupeve që do të duhej të ofronin mendimin e tyre rreth këtij projektligji të rëndësishëm, duke përfshirë edhe organizatat jo-qeveritare,.  

Shqyrtimi i projektligjit për Financimin e Partive Politike po bëhet prapa dyerve të mbyllura duke sinjalizuar se shqetësimet rreth transparencës së financimit të partive politike nuk do të zgjidhen me këtë ligj duke qenë se vetë procesi i hartimit të ligjit po është përjashtues. Nuk ka informacion të rëndësishëm rreth këtij projektligji duke përfshirë çështje qenësore që kanë të bëjnë me mënyrën dhe shumat që do ti paguhen partive politike nga Buxheti Shtetërore, para këto të taksapaguesve kosovar.  

Nuk ka vullnet politik për transparencë në financimin e partive politike

March 4, 2010

Prishtinë, 02 mars 2010 – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Lëvizja FOL, kanë organizuar tryezë diskutimi me temën: “Transparenca në financimin e partive politike”, ku pjesëmarrësit kanë vlerësuar se nuk ka transparencë të mjaftueshme në financimin dhe raportimin e partive politike.

Përfaqësuesit e partive politike kanë pranuar se ka regres në transparencën e financimit të partive, ndërkohë kanë bërë autokritikë për zvarritjen e raportimit të financave të tyre.   Panelistë në këtë tryezë kanë qenë: Lars Lage Olofsson – auditor i përgjithshëm, Safete Hadërgjonaj – PDK, Ardian Gjini – AAK dhe Ibrahim Makolli – AKR. Në tryezë është diskutuar edhe për draft-ligjin për financimin e partive politike. Në këtë çështje, më së shumti është diskutuar për mungesat e shumtë që ka draft-ligji aktual, të cilit i duhen amandamentime dhe ndryshime, në mënyrë që të jetë funksional në momentin e miratimit në Kuvendin e Kosovës.

Merita Mustafa nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se sipas informative të fundit të marra nga KQZ, partitë politike si në të kaluarën, edhe tani vazhdojnë te mos e zbatojnë ligjin kur është fjala tek deklarimi i financave te tyre. “KQZ ka konfirmuar se ka hasur në të gjetura kur edhe OSBE, që ishte si organ mbikëqyrës i partive, kishte shqiptuar gjoba të shumta për mos dorëzimin e raporteve financiare nga partitë politike. Sipas saj, shumë herë është potencuar se nuk është problem i vetëm mungesa e një ligji të veçantë që rregullon financimin e partive politike, sepse ekziston një rregullore e UNMIK-ut që rregullon këtë çeshjte, por që partitë politike ende nuk po arrijnë që ta zbatojnë. “Edhe draft ligji aktual që rregullon financimin e partive politike, tregon për mungesën e vullnetit të Qeverisë që t’i bëjë transparente mënyrat e raportimit të financave të partive, pra disi e mbyll ketë proces, duke e lëne që të zgjidhet me akte nënligjore”, ka thënë Mustafa.
Ndërkaq, Lars Lage Olofsson – auditor i përgjithshëm ka thënë se nuk dihet se si institucionet publike po e mbrojnë paranë publike dhe nuk e dimë se si po i kontrollojnë institucionet private. Sipas tij, është po ashtu e rëndësishme së pari të qartësohen kriteret dhe kërkesat që pushteti jep fonde për organizata jopublike dhe është e rëndësishme që institucioni që është përgjegjës për dhënien e këtyre fondeve, duhet të jetë mekanizëm përkatës dhe të ketë kontroll të mirë që në vete të sigurojë që pagesat janë bërë dhe janë zbatuar në mënyrë të drejtë. “Pra nëse dikush është duke iu dhënë fonde partive politike, ai institucion duhet të ketë kontroll të brendshëm, për të siguruar mënyrën se si ato para po harxhohen”, ka thënë Olofsson. Natyrisht se kur jep fonde për një sektor privat duhet të ketë kërkesa të qarta se çfarë raporte ke ti më atë institucion kur po jep fonde. Institucioni që jep fonde duhet të sigurojë që këto raporte janë të vërteta dhe fer.

Panelistja Safete Haderxhonaj nga Grupi Parlamentar i PDK-së, ka folur edhe për pakënaqësinë e raportimit edhe të vet partisë që përfaqëson. Ajo ka theksuar edhe rregullimin e institucionit që do të monitoroj financimin e partive politike. “Rolin kryesor për monitorim duhet ta ketë një institucion, sepse kështu do të kemi një transparencë më të madhe dhe do t’i përshtatemi standardeve ndërkombëtare”, ka thënë Haderxhonaj. Ajo ka theksuar se do të ishte më mirë që ZAP-i ta bëjë auditimin e partive politike, për shkak se siç ka thënë ajo, përvoja nga e kaluara nuk ka qenë edhe e mirë sa i përket auditimit nga agjencionet tjera.

Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, panelist, ka kërkuar sqarim për ligjin për financimin e partive politike dhe kërkesat e shoqërisë për këtë ligj. “Ne duhet të fillojmë të mendojmë se çka është me rëndësi për Kosovën në këtë fazë. A është me rëndësi ta dimë se ku i marrin paratë dhe sa shpenzojnë apo është me rëndësi që ta limitojmë shumën. E di që duhet t’i bëjmë të dyja, por mendoj se mos po i konkurrojmë në këtë fazë kësaj çështjeje. Tani kufizimi është i domosdoshëm, realisht”, ka thënë Gjini.
Panelisti tjetër, Ibrahim Makolli nga Alenca Kosova e Re ka vlerësuar se mungesa e transparencës është rezultat i mungesës së vullnetit të subjekteve politike për t’i publikuar financat e tyre. “ Nëse e shihini se cilat kompani kanë përfituar prej tenderave të ministrive të caktuara, atëherë e shihni më së miri këtë rrethin në mes të partive politike dhe kompanive të cilat kanë përkrahur dhe financuar fushatën zgjedhore”, ka deklaruar Makolli.

Pjesëmarrësit në tryezë kanë vlerësuar se është shumë e rëndësishme që të qartësohet se cilat janë organet përgjegjëse për sigurimin e implementimin e ligjit. Ata kanë kërkuar edhe që donacionet të kenë kufizime.

Rekomandimet kryesore të tryezës:

  • Përcaktimi i qartë në ligj i institucioneve dhe mekanizmave që do të sigurojnë zbatimin e ligjit,
  • Rishikimi i mundësisë për ndryshimin e nenit që thotë se Auditori i Përgjithshëm duhet të kujdeset për auditimin e partive. Në vend të kësaj, një organ i pavarur do të duhej të themelohej për t’u marrë ta zgjidh këtë çështje
  • Përcaktimi nëse është më i rëndësishëm kufizimi i financave të partive, apo transparenca për prejardhjen e tyre
  • Kërkesa që partitë politike të bëjnë publike bizneset që i financojnë,
  • Duhet vullnet politik për bërjen e mirë të ligjit dhe deri atëherë partitë do të duhej të respektonin rregullat në fuqi.
  • Sanksionet duhet të jenë më të ashpra dhe duhet të ketë edhe sanksione penale.
  • Të ketë kufizim të donacioneve

Kërkohen ndryshime në Projektligjin e Financimit të Partive Politike

March 4, 2010

Prishtinë, 22 shkurt 2010 – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Lëvizja FOL, kanë prezantuar para shoqërisë civile dhe partive politike të Podujevës dhe Mitrovicës, Projektligjin për Financimin e Partive Politike, me ç’rast janë nxjerr rekomandime konkrete për ta pasur një ligj sa më të përshtatshëm. Këto tryeza janë zhvilluar në kuadër të programit “Bazë Ligjore dhe Mekanizma Funksional për Qeverisje të Mirë”.

Përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile në këto dy komuna, kanë vlerësuar se draft-ligji kërkon disa ndryshime. Ndërkohë, ata kanë shprehur pakënaqësinë me vonesën e miratimit të këtij ligji dhe kanë kërkuar nga institucionet përgjegjëse që sa më parë të miratojnë këtë ligj.

Në tryezën e organizuar në Podujevë, më 22 shkurt, përfaqësues të partive politike kanë kërkuar që të përshpejtohet miratimi i Ligjit për Financimin e Partive Politike, ndërkohë kanë propozuar ndryshime konkrete. Përfaqësuesit e LDK-së kanë përshëndetur draft ligjin dhe kanë shprehur kureshtjen mbi shumat e papërcaktuara ende në nenin 5. Ndërsa Muhamet Latifi, Kryetar i PDK-së, ka shprehur dëshirën që ky draft të shndërrohet sa më shpejt në ligj të plotfuqishëm. Ai po ashtu ka propozuar që:
1) Ligji të obligoj partitë politike aplikimin e auditimit të brendshëm dhe atij të jashtëm. Krejt kjo për të rritur kontrollin dhe transparencën mbi thithjen respektivisht shpenzimin e fondeve nga partitë, gjatë dhe pas fushatave elektorale.
2) Të hyrat e partive nga anëtarësia të lirohen nga tatimi pasi ato në këtë mënyrë do ta evitonin tatimin e dyfishtë nga të ardhurat.
Në anën tjetër, Ilir Krasniqi nga AAK-ja ka argumentuar se mënyra e duplifikuar e organizimit institucional në luftë kundër korrupsionit, e ulë efiçiencën. Po ashtu ai mendon se rrafshi socio-politik është i rëndësishëm duke aluduar se korrupsioni është e keqe permanente psikologjike. Ai ka nxjerr në dritë interesimin e AAK-së për të organizuar debate me qytetarë në lidhje me korrupsionin në Kosovë.
Debatit në Podujevë ka dëshmuar nevojën për më shumë raste për qytetarët dhe grupet tjera të interesit, që të shprehin pikëpamjet e tyre në lidhje me këtë çështje.

Ndërkohë, në debatin e 12 shkurtit në Mitrovicë, është vlerësuar se qytetaret nuk janë të vetëdijshëm nëse ndonjëra nga partitë politike ka publikuar deri me tani raportet e tyre financiare. Pjesëmarrësit në tryezë kanë thënë se shpresojnë për një transparencë më të madhe në të ardhmen. Përpos kësaj, as anëtaret e partive politike pjesëmarrës në tryezë, nuk kanë informata mbi pasqyrat financiare të partive të tyre apo shpenzimet e bëra gjatë fushatave. Anëtarët e partive politike të nivelit lokal kanë vlerësuar se debati për financimin e partive politike duhet të filloj nga degët e partive, sepse ata edhe ballafaqohen më së shumti me vështirësitë e financimit. Po ashtu, në këtë debat janë dhënë vërejtje edhe për parat e shpenzuara gjatë fushatave, të cilat është vlerësuar se kanë qenë shuma marramendëse.

Një vlerësim tjetër ka qenë se projektligji aktual që rregullon financimin e partive politike, nuk parasheh sanksione të duhura dhe se ky projektligj vë në pah se në të vërtetë nuk ka pasur vullnet politik për hartuar një ligj i cili do t’i bënte transparente financat e partive politike.

Deputeti i pavarur Naim Rrustemi, panelit ka thënë se problemi i financimit të partive politike qëndron tek moszbatimi i ligjit. “Ekziston rregullorja për financimin e partive politike, por ajo nuk zbatohet”, ka deklaruar Rrustemi.

Panelisti tjetër, deputeti i LDK-së, Arsim Rexhepi ka akuzuar partitë politike për shpenzime të mëdha në fushata. “Shuma e harxhuar për fushata, ka qenë miliona euro, kanë qenë shuma të hatashme, marramendëse”, ka thënë ai.

Ndërsa Avdi Muzliukaj nga LDD-ja, ka kërkuar më shumë transparencë nga partitë. “Sot partitë politike nuk kanë transparencë ndaj qytetarëve dhe se ne sot kemi një diktat financiar nga partitë, të cilat përcaktojnë se sa para duhet t’i mbledh”, ka thënë Muzliukaj. Ai ka shtuar se administrata tatimore më së miri e dinë se si bëhet financimi i partive politike, ndërsa degët e partive nuk janë duke u financuar nga fondi shtetëror. Po ashtu, ai ka nënvizuar se asnjë parti deri më tani nuk i ka dëshmuar raportet financiare, ndërsa partitë politike edhe pse nuk i kane dorëzuar raportet KQZ-së, ato ende vazhdojnë të funksionojnë. Sa i përket masave ndëshkimore, Muzliukaj ka thënë se ato duhet të fillojnë të zbatohen nga kryetari i partisë dhe jo nga nënkryetari i cili mund të urdhërohet.

Këshilltari Komunal nga LDK-ja, Faton Peci ka kërkuar që të rritet Fondi për financimin e partive politike nga shteti, për shkak se siç ka thënë ai, ka nevojë edhe për më shumë fonde dhe se nëse nuk ka fonde të mjaftueshme, atëherë tentohet që të gjenden mekanizma tjera të financimi, të cilat munden të jenë edhe jo të ligjshme.

Rekomandimet nga debati:

• Sanksionet ndaj partive duhet te ashpërsohen për tu zbatuar ligji;
• Limitet nga donatoret privat duhet te përcaktohen me ligj;
• Duhet te organizohen debate me shoqata te juristeve te cilët duhet ti hapin dhe ti trajtojnë këto tema;
• Grupet parlamentare nuk duhet te financohen edhe nga buxheti I shtetit;
• Ne ligj duhet parashihet edhe financimi I degëve te partive

Financat e partive, çelësi për luftim të korrupsionit

February 23, 2010

Koha Ditore, 23 shkurt 2010

Partitë Politike në Kosovë janë kampione të jo-transparencës në burimet e pasurisë dhe financave të partisë në Kosovë. Një situate si kjo ka kontribuar në shpërndarjen e korrupsionit duke dobësuar përpjekjet e institucioneve përgjegjëse në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit.  Partitë Politike në Kosovë janë mbretëri në vete ku dominon nepotizmi, konflikti i interesit dhe mbi të gjitha mungesa e vullnetit politikë për të mbështetur një agjendë efektive kundër krimit dhe korrupsionit.

Lidhja ndërmjet korrupsioni, krimit të organizuar dhe partive politike është një raport pothuajse i pashmangshëm dhe një problem me të cilin ballafaqohen edhe vendet me nivel të lartë të sundimit të ligjit. Njëra nga temat më të nxehta të debatit gjatë garës presidenciale në SHBA ishte pikërisht premtimi i Obamës për të ndaluar ndikimin e grupeve të lobimit të cilat mbështeten nga ndërmarrje dhe grupe të interesit.  Gjendja në SHBA pothuajse ka pamundësuar komunikimin dhe ndikim qytetar tek ligjvënësit për shkak të lidhjeve të ngushta të tyre me grupe lobuese.  Në zgjedhjet e fundit në Kosovë edhe një herë është dëshmuar se partitë politike nuk kanë pasur vullnet të bëjnë publike financat e tyre. Kemi pa zëdhënësit e partive duke dhënë shifra 500 mijë, 600 mijë, etj mirëpo pa dhënë asnjë informacion për prejardhjen e këtyre financave.

Verena Blechinger në Raportin “Korrupsioni dhe Partitë Politike” vë në pah format e korrupsionit të partive politike të cilat janë të njohura për opinion Kosovar. Megjithëse ky raport është bërë në vitin 2002 gjërat vazhdojnë të jenë të freskëta.   Për të mbushur buxhetin e tyre të fushatës, partitë pranojnë donacione nga donatorë të pasur ndonjëherë edhe përmes kërcënimeve me përjashtim nga fitimi i kontratave publike në rast se ndërmarrje përkatëse nuk kontribuon për partinë.   Ndonjëherë vetë pagesat e anëtarësisë së partisë mund të shërbejnë për korruptim ose shpërlarje të parasë.  Një skenar i këtillë i ngjashëm së fundi ka marr edhe dënim nga ana e Gjykatës në Kosovë.  Në prononcime publike kemi dëshmuar deklarata të zyrtarëve të lartë partiak për pranim të dhuratave në mall; si ndërtim shtëpie apo veturë.

Një tjetër shfaqje e korrupsionit në fushën e partive politike është edhe blerja e votave. Në vendet në zhvillim, dhe sidomos në vendet ku patronazhi është një faktor i rëndësishëm shoqëror, votuesit mund të presin dhurata nga partitë dhe kandidatët para zgjedhjeve dhe pastaj të marrin vendimin e tyre në bazë të sasisë dhe cilësisë së dhuratës përkatëse.  Pasi një traditë e tillë të jetë vendosur, votuesit gjithashtu kanë gjasa për të kërkuar në vazhdimësi dhurata në këmbim të votave. Ne gjithashtu mund të konsiderojnë korrupsion  edhe kur liderët e partisë kërkojnë donacione nga anëtarët e partisë si një parakusht për avancimin në hierarkinë e partisë apo për fitim të drejtës për udhëheqjen e partisë.

Me 22 Shkurt Komisioni për Buxhet dhe Financa i Parlamentit të Kosovës organizoi një dëgjim publik për Projektligjin për Financimin e Partive Politike.  Për të treguar vullnet politikë për luftim të korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe me qëllim që të dëshmojnë seriozitetin e tyre për mbështetje të transparencës dhe llogaridhënies asnjë prej partive kryesore politike nuk morri pjesë në këtë dëgjim publik.

Instituti Demokratik i Kosovës dhe Lëvizja FOL

Deklarimi i pasurisë, hap i progresit në luftimin e korrupsionit

January 17, 2010

Opinion botuar ne Koha Ditore,17Janar 2010:

Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon ta qarkulloj nga zyra në zyrë Projektligjin për Financimin e Partive Politike i cili së bashku me Ligjin për Deklarimin dhe Prejardhjen e Pasurisë së Zyrtareve të lartë publik përbëjnë nismën më të rëndësishme legjislative të kohëve te fundit në fushën anti-korrupsion. Instituti Demokratik i Kosovës dhe Lëvizja FOL kanë realizuar një seri tryezash në komunat e Kosovës ku është diskutuar për projektligjin për Financimin e Partive Politike, duke marrë kështu vlerësimet dhe rekomandimet që do të duhej të përfshihen në këtë Ligj.

Në këto tryeza të organizuara me përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile, janë diskutuar mundësitë e gjetjes së zgjidhjeve më të mira të cilat do të shërbenin rregullimit më të mirë të parimit qenësor të këtij ligji që ka të bëjë me transparencë dhe llogaridhënie më të madhe nga ana e partive politike sidomos nw burimet e financimit dhe shpenzimit. Pjesëmarrësit e këtyre tryezave zakonisht kanë vlerësuar se Kuvendi i Republikws sw Kosovës është vonuar dhe Ligji për Financimin e Partive Politike duhet që të nxirret sa më shpejt si dhe kanë vlerësuar se Ligji duhet të rregulloj çështjen e financimit edhe të partive jashtë Parlamentit. Partitë politike jashtë parlamentit kanë kërkuar që edhe ata të përfshihen në përfitimin e mjeteve nga fondi për mbështetje të subjekteve politike që projekti ligji aktual parasheh të krijoj.

Deri më tani partitë e vogla apo ato që janë jashtë Parlamentit kanë qenë disi të diskriminuara. Po ashtu është konstatuar se donatorët të cilët japin kontributet për një parti, druajnë nga publikimi i emrave të tyre dhe se hezitojnë të financojnë partitë e vogla. Duhet të jepet mundësia që edhe subjektet politike të cilat janë jashtë Parlamentit, të financohen nga fondi për mbështetje të subjekteve politike. Auditimi i partive politike duhet të rregullohet me ligj dhe jo me akte nënligjore si dhe duhet që partitë politike në nivel lokal, ta gëzojnë të drejtën që të financohen nga buxheti i Kosovës. Raportet financiare të partive duhet që domosdo të publikohen në ueb faqe të partive dhe të KQZ-së.

Duhet të caktohet një limit për shumën e donacioneve dhe shumën e anëtarësimit për një vit. Projektligji duhet të ketë parasysh edhe financimin e kandidatëve të pavarur. Gjithashtu Degët e partive politike – duhet të kenë numrin e xhirollogarisë, si dhe të marrin përgjegjësitë për donacionet (kryetari, sekretari). Donacionet gjatë fushatave elektorale duhet të sanksionohen dhe limitohen me ligj. Të ketë limitim – kufizim te shumës maksimale të mjeteve të shpenzuara për fushate për një parti. Përderisa rekomandimet e lartshënuara janë mbështetur nga zyrtaret e partive politike në komunat përkatëse, zyrtaret e partive politike në Prishtinë e kanë vonuar ligjin pikërisht për shkak të kërkesave për transparencë publike të financave të partive politike.

Duhet të kujtojmë se zv. Kryeministri Hajredin Kuqi pati premtuar se Ligji për Financa të Partive Politike do të ishte gati para zgjedhjeve por një gjë e tillë nuk ndodhi. Kjo sjellje anti-transparencë dhe anti-llogaridhënie e deputeteve dhe zyrtareve partiak për ligjin për financimin e partive politike si dhe për ligjin për deklarimin dhe prejardhjen e pasurisë së zyrtareve të lartë publik dëshmon mungesë të vullnetit politikë për të luftuar korrupsionin si dhe sinjalizon fuqizimin të krimit të organizuar. Megjithatë janë qytetarët e Kosovës ata që më së shumti do të dëmtohen duke u përjashtuar nga integrimi evropian për faje të mungesës së vullnetit politik nga ana e institucioneve qeveritare në Kosovë që të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar Përpjekjet që ligji për Financimin e Partive Politike dhe ai për Deklarimin dhe Prejardhjen e Pasurisë së Zyrtarëve Publik të mos kërkojnë publikimin e pasurisë për publikun e gjerë por vetëm për disa institucione të caktuara janë cenuese për parimin e llogaridhënies dhe transparencës. Gjithashtu Ligji për Financimin e Partive Politike duhet që të rregulloj aspektin e dhuratave.

Duke qenë se tani më publikisht disa zyrtar dhe lider të partive politike, pasurinë e partisë dhe të tyren personale e lidhin me dhurata që janë bërë në emër të partisë ligji duhet të sanksiononte këtë aspekt dhe publicitetin e donacioneve të tilla.

Instituti Demokratik i Kosovës dhe Lëvizja FOL

(Botuar ne Koha Ditore, 17Janar 2010)

Pasuria e zyrtareve ne internet

December 3, 2009

 

Partitë e vogla kërkojnë të përfitojnë nga fondi për mbështetje të subjekteve politike

November 28, 2009

Prizren, 11 nëntor 2009 – Instituti Demokratik i Kosovës dhe Lëvizja FOL, kanë prezantuar para shoqërisë civile dhe partive politike, Projektligjin për Financimin e Partive Politike, për të marrë rekomandimet e tyre, kjo në kuadër të programit “Bazë Ligjore dhe Mekanizma Funksional për Qeverisje të Mirë”. Pjesëmarrësit në tryezë kanë vlerësuar se Ligji për Financimin e Partive Politike duhet që të nxirret sa më shpejtë, ndërkohë kanë përgëzuar iniciativën e shoqërisë civile për avokimin që po bëjnë për këtë ligj. Qëllimi i programit “Bazë Ligjore dhe Mekanizma Funksional për Qeverisje të Mirë”, është që të paraqiten projektligjet anti-korrupsion që janë në diskutim dhe të merren rekomandimet e përfaqësuesve të partive politike dhe shoqërisë civile në nivel lokal. Merita Mustafa nga KDI, ka prezantuar Projektligjin për Financimin e Partive Politike, ndërkohë u ka bërë thirrje pjesëmarrësve të tryezës që të paraqesin mënyrat më të mira që duhet të përmbaj ky ligj. Panelistë në tryezë kanë qenë: Njazi Kryeziu nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Merita Mustafa nga Instituti Demokratik i Kosovës. Pjesëmarrësit në këtë tryezë kanë vlerësuar se Ligji për Financimin e Partive Politike duhet të rregulloj çështjen e financimit edhe të partive jashtë Parlamentit. Partitë politike jashtë parlamentit kanë kërkuar që edhe ata të përfshihen në përfitimin e mjeteve nga fondi për mbështetje të subjekteve politike. “Deri më tani partitë e vogla apo ato që janë jashtë Parlamentit kanë qenë disi të diskriminuara. Është një ligj i padrejtë pasi që i diskriminon partitë të cilat nuk e kalojnë pragun zgjedhor”, është thënë në tryezë. Pjesëmarrësit në këtë tryezë kanë thënë gjithashtu se subjektet politike të sapo formuara dhe të certifikuara, nuk e dinë se sa mjete u takojnë me ligj që të financohen. Po ashtu është konstatuar se donatorët të cilët japin kontributet për një parti, druajnë nga publikimi i emrave të tyre dhe se hezitojnë të finacojnë partitë e vogla. Rekomandimet e tryezës: Duhet të jepet mundësia që edhe subjektet politike të cilat janë jashtë Parlamentit, të financohen nga fondi për mbështetje të subjekteve politike. Auditimi i partive politike duhet të rregullohet me ligj dhe jo me akte nënligjore. Duhet që partitë politike në nivel lokal, ta gëzojnë të drejtën që të financohen nga buxheti i Kosovës. Partive politike duhet t’ju lejohet financimi edhe nga donacionet dhe anëtarësimi. Raportet financiare të partive duhet të publikohen në uebfaqe të partive dhe uebfaqe të KQZ-së. Duhet të caktohet një limit për shumën e donacioneve dhe shumën e anëtarësimit për një vit. Ligji për financimin e partive politike duhet të harmonizohet me ligjin mbi financat. Duhet të ketë limit të shpenzimeve për fushata parazgjedhore. KQZ-ja duhet t’i informoj më shumë subjektet politike të sapo-regjistruara dhe të certifikuara për fondet që ju takojnë. Projektligji duhet të ketë parasysh edhe financimin e kandidatëve të pavarur. Degët e partisë duhet të japin llogari apo t’i tregojnë shefit të shtabit për donacionet që marrin.

Peja kërkon financim të partive me standarde evropiane

November 28, 2009

Pejë, 5 nëntor, 2009 – Krijimi i një kornize ligjore me përfshirjen e parimeve të Këshillit Evropian për financimin e partive politike, ka qenë kërkesa e partive politike në Pejë, në një debat të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Lëvizja FOL.

Në kuadër të programit “Bazë Ligjore dhe Mekanizma Funksional për Qeverisje të Mirë”, KDI dhe Lëvizja FOL, kanë shtruar në diskutim para qytetarëve të Pejës për Projektligjin për Financimin e Partive Politike, duke marrë kështu rekomandimet që do të duhej të përfshihen në këtë Ligj.

Në tryezën e organizuar nga KDI dhe Lëvizja FOL, me përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile, janë diskutuar mundësitë e gjetjes së zgjidhjeve më të mira për Ligjin për Financimin e Partive Politike, qëllim ky i iniciativës së këtyre dy organizatave. Përfaqësues të KDI-së kanë prezantuar Projektligjin për Financimin e Partive Politike, duke kërkuar nga pjesëmarrësit të japin idetë dhe rekomandimet e tyre për këtë ligj.

Në tryezë kanë marrë pjesë edhe deputetët të Kuvendit të Kosovës. Deputetja Gjylnaze Sylaj, ka rekomanduar që baza ligjore që rregullon financimin e partive politike, duhet të jetë kompatibile me standardet evropiane dhe parimet e Këshillit Evropian.

Në tryezë është kërkuar po ashtu që të ketë më shumë transparencë të partive politike sa i përket financimit të tyre. Një kërkesë tjetër e dalur nga kjo tryezë, ka qenë edhe rishikimi i çështjes së gjobave për partitë e papërgjegjshme, duke kërkuar rritjen e gjobave për partitë që nuk i kryejnë obligimet ligjore për financimin e tyre.

Rekomandimet e tryezës:

• Krijimi i një kornize ligjore është mase i nevojshëm.
• Parimet e Këshillit Evropian duhet të përfshihen në ligj.
• Partitë politike duhet të financohen nga buxheti në mënyrë që të parandalohet varësia nga donatorët që mund të kenë ndikime politike.
• Neni 5.1 i Ligjit për Financimin e Partive Politike, nuk e definon se sa duhet të paguaj brenda një viti – anëtarësia e partive politike.
• Të qartësohet Gjykata kompetente që do të jetë përgjegjëse për ndëshkimin e shkelësve të ligjit.
• Gjobat nuk janë të mjaftueshme – të përcaktohet me një përqindje, varësisht prej buxhetit të ndarë për partinë.
• Mekanizmat mbikëqyrës duhet te jenë organe të pavarura.
• Është diskutabile nëse 1% e buxhetit duhet të ndahet për financimin e partive politike – për shkak se nëse rritet buxheti atëherë kjo shumë do të jetë shumë e madhe.
• Duhet të përcaktohet se cilat shpenzime, grupet parlamentare duhet t’i mbulojnë me këtë fond.
• Transparenca brenda partive duhet të ekzistoj – ka shumë parti të cilat nuk e din se sa fonde merr subjekti i tyre.
• Në këtë ligj duhet të përfshihen edhe ato parti të cilat kanë deputet në Asambletë Komunale.
• Duhet të ketë limit të donacioneve.
• Është vërtetuar se donatorët hezitojnë t’i financojnë partitë e vogla (kjo për shkak se nuk kanë interes – dhe nuk mund t’ju shpaguhet donacioni nga p. e vogla).
• Duhet të specifikohet se si bëhet ndarja e mjeteve për partitë në koalicion (kjo mund të bëhet edhe me marrëveshje në mes tyre – por ndonjëherë është vështirë sepse partitë e vogla mbesin në mëshirë të grupit parlamentar-(pjesemarresit kane dhene edhe shembuj se disa deklarojnë vetëm 10 % të fondeve).
• Të bëhet një komision gjithëpërfshirës për Auditim


Follow

Get every new post delivered to your Inbox.